Gjatë konferencës për mediet pas takimit të liderve që marrin pjesë në nismën rajonale “Open Balkan”, kryeministri Edi Rama ka folur edhe për faktin se përse Kosova dhe Bosnja nuk po i bashkohen ende takimeve. Kryeqeveritari Rama ripërsëriti thirrjen që Kosova të bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur, duke thënë se të gjitha shtetet janë të mirëpritura. Rama tha se kjo nismë nuk ka kufizim për askënd, dhe se nëse të gjashtë vendet do të jenë pjesë atëherë do të ndryshojë atmosfera në favor të qytetarëve.

Edi Rama krahasoi shqiptarët dhe serbët në Ballkan, sa i përket mosmarrëveshjeve, me francezët dhe gjermanët për Bashkimin Europian.

“Kur vjen puna për Kosovën, është thënë e rithënë, që të tria vendet janë të ftuara të vijnë të ulen dhe të punojnë bashkë me ne për njerëzit e tyre. Çështja e mosdakordësisë ka rrugën e vet. Nëse të 6 vendet marrin pjesë, atëherë edhe për Kosovën dhe Bosnjën do të jetë shumë më mirë atmosfera për të trajtuar edhe çështjet e tjera.

Shqiptarët dhe serbët janë për Ballkanin, si gjermanët dhe francezët për Europën. Gjermania dhe Franca nuk e filluan nga fundi, por nga marrëveshja e çelikut dhe e qymyrit, nga lehtësimi i punës së sipërmarrjeve, aty ku e ndjente populli pas luftës, te buka. Nuk ka asnjë kufizim për askënd”, tha Rama.