Në kohë të vështira duhen zgjidhje të guximshme. E Edoardo Reja ka vendosur të bëjë pikërisht këtë në dy ndeshjet e fundit të Nations League. Shqipëria duhet të fitojë në Izrael, për të shkuar shumë afër vendit të parë në grupin e Ligës së Kombeve. Pastaj duhet të luajnë gjithcka ndaj Islandës.

Skuadra kuqezi mbërriti dje në Tel Aviv, qyteti ku do të luhet përballja, përkatësisht në stadiumin “Bloomfield”, në orën 20:45. Atmosfera në grup është pozitive, jo vetëm sepse kuqezinjtë do të kenë një premio prej 10 mijë eurosh në rast fitoreje.

FORMACIONI

Në seancën e fundit Myrto Uzuni ka qenë i vetmi që është stërvitur i diferencuar për shkak të problemit muskulor. Beratasi vështirë se do të jetë i gatshëm për sfidën e sotme, ndërsa do të ketë një ndryshim moduli të paprecedentë. Shqipëria e Rejas për herë të parë do të luajë me katër mbrojtës në linjë. Në portë do të luajë Tomas Strakosha, që ka fituar duelin me Berishën. Në qendër të mbrojtjes Ismajli dhe Veseli, ndërkohë në krahë, djathtas Balliu dhe majtas Hysaj. Përpara tyre pritet të rreshtohen Gjasula, Abrashi dhe një mes Asllanit e Laçin. Ndërsa në rolin e tij prej fantazisti është Nedim Bajrami, që do të mbështesë dy sulmuesit, Armando Broja dhe Sokol Cikalleshi.

SHANSET

Nga vendi i parë në të fundit, të gjitha mundësitë janë të hapura. Në Grupin 2 të Ligës B, Shqipëria në 180 minuta luan kualifikimin historik në grupin e më të mirëve të kontinentit.
Përveç ngjitjes në një ligë më lart në turneun e radhës të Ligës së Kombeve, Shqipëria mund të marrë benefite shumë të rëndësishëm për sa i përket kualifikimit në Europianin e 2024- ës, që do të mbahet në Gjermani. Duhen dy fitore të pastra në dy ndeshjet e fundit për tu renditur në vendin e parë. Vend që arrihet edhe me një barazim në ndeshjen e fundit me Islandën, por vetëm nëse kemi mundur me dy gola Izraelin.

PËRFITIMI

Fitimi i grupit vlen që në shortin e Europianit, i cili do të hidhet në Frankfurt, të vendosemi në Vazon e dytë. Kalimi një vazo më lartë bëhet sepse ndarja e Vazove bëhet sipas renditjes që ekipet mbajnë në Ligën e Kombeve. Kjo do të thotë një grup më i lehtë në kualifikueset e Europianit. Ndërkohë, përfitimi tjetër lidhet me “play off”-in e këtij Europiani. Nga kualifikueset dalin direkt 20 kombëtare, plus një që është Gjermania si vend organizator. Pastaj mbeten dhe 3 ekipe të tjera që do të presin një biletë për në “EURO 2024”.

Liga e Kombeve ka katër liga: A, B, C, D, por parasysh nga UEFA do të merren vetëm tri të parat. Çdo ligë ka nga 4 grupe me 4 skuadra secila. Skema e “play off”-it është kjo. Katër vendet e para të çdo grupi do të përballen me njëra-tjetrën brenda ligës ku ajo është pjesë. Dy ndeshje vajtje-ardhje me eliminim dhe pastaj një finale teke. Të njëjtën gjë do të bëjnë edhe 4 vendet e para të Ligës A apo C. Po ashtu të njëjtën gjë mund të bëjë edhe Shqipëria në Ligën B nëse fiton grupin. Kështu, çdo ligë do të nxjerrë fituesen e grupit që do të shkojë në “play off”-in e “EURO 2024”.