Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në urën hekurudhore midis gadishullit të Krimesë dhe Rusisë në orët e para të së shtunës. Media shtetërore ruse thotë se një rezervuar karburanti ka marrë flakë.

Megjitatë ata nuk kanë specifikuar shkakun. Një tren në urën hekurudhore të ngushticës Kerç ka marrë flakë ndërsa pjesë të rrugës janë shembur. Krimea u aneksua në vitin 2014 nga Moska, e cila tani përdor urën për të lëvizur pajisjet ushtarake në Ukrainë.

Një këshilltar i kreut të Krimesë, i cituar nga agjencia shtetërore ruse Ria Novosti, tha se po punohet për shuarjen e zjarrit. Media shtetërore ruse, ndërkohë, tha se trafiku është pezulluar në urë.

Ura e Krimesë mendohet të jetë një objektiv kyç për forcat ukrainase që kanë sulmuar logjistikën ruse.

Ura përtej ngushticës Kerç u hap nga Presidenti Vladimir Putin në vitin 2018, katër vjet pasi Moska aneksoi ilegalisht Krimenë.