Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha, të hënën, se bota ishte në prag të një “dështimi katastrofik moral” për sa i përket shpërndarjes së vaksinave COVID-19, duke u kërkuar vendeve dhe prodhuesve të shpërndajnë dozat në mënyrë të drejtë në të gjithë botën.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se perspektivat për shpërndarje të drejtë janë në “rrezik serioz” ashtu si skema e ndarjes së vaksinave COVAX që synon të fillojë shpërndarjen e vaksinave muajin tjetër.

Ai vuri në dukje 44 marrëveshje dypalëshe të nënshkruara vitin e kaluar dhe të paktën 12 janë nënshkruar tashmë këtë vit.

“Kjo mund të vonojë dërgesat e COVAX dhe të krijojë saktësisht skenarin që COVAX është krijuar për të shmangur, një treg kaotik, një përgjigje të pakoordinuar dhe përçarje të vazhdueshme sociale dhe ekonomike”, tha ai.

Një qasje e tillë varfëroi edhe më shumë botën dhe e bëri më të prekshme ndaj rrezikut, tha ai në hapjen e takimit vjetor të Bordit Ekzekutiv në formatin virtual.

“Në fund të fundit, këto veprime vetëm do të zgjasin pandeminë”.

Përplasja globale për vaksina është intensifikuar ndërsa qarkullojnë variante më infektive të virusit.

Tedros përmendi si një shembull të pabarazisë që më shumë se 39 milionë doza të vaksinave janë administruar në 49 vende me të ardhura më të larta, ndërsa vetëm 25 doza ishin dhënë në një vend të varfër.