Sëmundja e pulave apo gripi i shpendëve është shpërndarë në disa zona të Shqipërisë. Zv/ministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeci ka dhënë detaje për përhapjen e gripit në një komunikim për mediat. Gjeci ka thënë se ka nisur puna për asgjësimin e shpendëve të ngordhur ndërsa sërish theksoi se konsumatori nuk është i rrezikuar.

“Ka nisur procesi i asgjësimit të 120 mijë shpendëve që ndodhen në të njëjtat kapanone. Në çdo dalje që ne kemi bërë kemi konfirmuar që procesi është bërë në bazë të legjislacionit në fuqi. Gripi i shpendëve është stinor. Kryesisht transmetohet nga shpendët e vjetër që fluturojnë. Ne nuk pretendojmë që nuk do kemi më grip. E rëndësishme është të marrim masa. Fokusi jonë është të shpëtojmë tufën e shpendëve. Është një sëmundje që nuk transmetohet te konsumatori.

Sot kemi një vatër të izoluar. Ka shpendë që kanë ngordhur. Ka edhe nga ata që janë të infektuar dhe ligji parashikon eleminimin dhe asgjësimin e tyre. Për të dyja kategoritë ka nisur procesi i eliminimit të tyre nga kapanonet.  Pjesë e dëmshpërblimit është e parashikuar në ligj dhe vjen pas një hetimi për shkak pasojë”, tha zv/ministrja.