Pasi PD dhe LSI dogjën mandatet e deputetëve, një mori kandidatësh nga fundi i listave nisën të kacavirren për t’u hedhur drejt e në karriget e mbetura bosh në parlament. Lloj-lloj personazhesh qesharakë mbushën ekranet e televizioneve duke u shndërruar në ushqim për meme, ndërsa kuvendi i ngjan çdo të enjte një cirku të pakrahasueshëm me asnjë kohë tjetër.

Por aty ku të gjithë shihnin gallatën, Edi Rama pa 122 vota me të cilat kaloi ligjet që donte, ndryshoi Kodet sipas interesave të momentit dhe përshtati Kushtetutën sipas strategjisë elektorale të Partisë Socialiste. Kjo masë e larmishme personazhesh qesharake u pagëzua si “opozita parlamentare” megjithëse PS gjeti përherë mes tyre, aq vota sa iu deshën. Por me afrimin e 25 Prillit vlera e kartonëve jeshilë ka rënë, ndërsa interesat e PS tashmë janë në terren, ku bëhet fushata. Një pjesë janë rreshtuar që tani me Partinë Socialiste dhe janë shpërblyer për votat që kanë dhënë në kuvend për mazhorancën. Të tjerë janë në kërkim të ndonjë vendi në listat e PD, LSI apo kanë dalë më vete.

Ylli Shehu, pasi mori mandatin e djegur nga LSI në 2019 është në negociata me socialistët për të kapur një vend në listat e saj për deputetë.

Edmond Rrushi, i ardhur nga listat e LSI-së, ka nisur punën në qarkun e Tiranës për fushatën e Socialistëve me shpresë se do të gjendet një hapësirë për të, njësoj siç bëri edhe deputetja Ediola Braho pak kohë më parë në Gjirokastër.

Të tjerë janë në pritje të ndonjë oferte. “Jemi në biseda me miqtë dhe shokët. Nuk është vetëm PS, nuk e përjashtoj as atë dhe as të rejat që kanë krijuar” tha Nimet Musai, edhe ky një tjetër prurje LSI-së.

Çfarë do të bëjë Ralf Gjoni, që nuk ka një zonë tradicionale për t’u mbështetur në elektoratin e tij? Duket se deri tani nuk i është premtuar asgjë, pasi LSI e përcolli duke e goditur me bojë. “Unë nuk mundem të kandidoj me PS-në, pasi mbetem opozitar i kësaj partie në pushtet” ka thënë ai i pyetur nga gazetarët për të ardhmen. Megjithatë shpresa vdes e fundit. Një shkelje syri për Ramën ishte sulmi publik ndaj ambasadorit britanik Dankan Norman, pasi diplomati bëri një deklaratë jo fort të pëlqyeshme ndaj kryeministrit.

Rudina Hajdari ka gjetur një formë më elegante për të vazhduar shërbimin, me kandidimin në Elbasan. “Ndihem e bekuar që jam rritur duke u larë në lumin Shkumbin, kam pirë nga burimet e pastra të ujit dhe kam shpenzuar një pjesë të mirë të fëmijërisë sime aty”, e ka shpjeguar Hajdari zgjedhjen e saj, që gjeti të papërgatitur edhe vetë drejtuesit e Nismës Thurje. Shpjegimi duket të jetë në përballjen që do të ketë me kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhin. Kundërvënia ndaj aleancës LSI-PD ishte argumenti që e mbajti në kuvend, kur opozita dogji mandatet.

Deputetët që la pas Partia Demokratike kanë pasur zgjedhje të tjera, disi më të çorientuara. Korab Lita i ardhur nga radhët e PD-së u premtoi gazetarëve se do të jetë në opozitë të fortë ndaj Edi Ramës “Do ta “thyej në mes” në Kamëz” u shpreh Lita, megjithëse qëndrimi në kuvend ka dëshmuar shpeshherë të kundërtën.

I famshmi Kujtim Gjuzi ka regjistruar koalicionin e tij në 25 Prill. Aleanca përbëhet nga partitë e Zef Shtjefnit, Selami Jenisherit dhe Kostaq Papa.
Emri i koalicionit përfshinë të gjitha partitë, ndërsa sigla është një bashkim shkronjash që rezultoi në “AOKBPEK”.

Kryetari i partisë Lëvizja Demokratike për Ndryshim, Myslim Murrizi pritet do të kandidojë në 4 qarqe në zgjedhjet e 25 prillit, në Fier, Tiranë, Korçë dhe Elbasan.

Përjashtim nga deputetët e PD që pranuan mandatete e djegura bën Artur Roshi i Ballit Kombëtar Demokrat. Nuk dihet se si do ta justifikojë Lulzim Basha vendimin për ta pranuar në koalicion Roshin, por ai është i vetmi nga deputetët që u pranua të rikthehej në koalicion me PD edhe në fushatën e 25 Prillit.

I drejtpërdrejtë dhe thuajse përbashkues në filozofinë e tij, ka qenë Lefter Maliqi. Kur e pyetën në oborrin e parlamentit se me kë logo do shfaqej në 25 Prill para elektoratit, ai i ra shkurt.

“Me cilën parti? Me atë që do të fitojë” u tha Lefter Maliqi gazetarëve. Në zgjedhjet e kaluara ka kandiduar edhe për PS, edhe për PD edhe për LSI dhe është një ndër pionierët e kësaj mënyre mbijetese në politikë.©Lapsil.al