mark-frroku-1024x679
Një muaj nga nisja e gjyqit në Bruksel kundër Mark Frrokut për vrasjen e Aleksandër Kurtit, është shpallur në kërkim një tjetër person i akuzuar për këtë ngjarje të ndodhur në vitin 1999. Arjan Bytyçi dyshohet si bashkëpunëtor i deputetit të mazhorancës. Për këtë arsye ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ndaj tij, Gjykata e Lartë caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, më 25 qershor. Kolegji Penal që dha masën sipas kërkesës së Prokurorisë përbëhej nga Artan Broci (kryesues) dhe anëtarët Ardian Nuni, Edmond Islamaj, Guxim Zenelaj e Tom Ndreca. Arjan Bytyçi njihet edhe me disa emra të tjerë si: Hilë Joka, Hilë Morina e Kristian Morina (Marinaj). Gjyqi ndaj Frrokut do të nisë më 19 tetor në Bruksel. Deputeti ka kërkuar të jetë pjesëmarrës në seancat gjyqësor, por Gjykata e Lartë ka refuzuar, duke argumentuar se ai mund t’i ndjekë ato me video-konferencë ose mund të pyetet nga prokurorët belgë në qeli.