Ernest Muci është thesari i momentit i Tiranës, ai për të cilin ka nevojë skuadra në fushë, por kanë më tepër nevojë arkat e klubit jashtë fushës. Është e qartë se një kohë më e gjatë si protagonist do ti shërbente rritjes së vlerës së kartonit, Dedes si trajner e vetë lojtarit për eksperiencë, por situata nuk ti jep gjithnjë komoditetet e me kryeqytetasit që u gjendën të detyruar të paguanin 334 mijë euro ndaj Kazablancas për të zhbllokuar merkaton e nevojës për ti dhënë teknikut lojtarët në rolet e kërkuara, shumë që mund të inkasohet nga shitja e Mucit duket jetike. 450 mijë euro të refuzuara, qoftë ofertës portugeze e ashtu edhe asaj vieneze, por në ndryshim nga e para me Rapidin gjërat janë në stand by, pikërisht me shpresën se austriakët do të përmirësojnë ofertën e tyre.

Në një rast të tillë Ahmedov nga CSKA e Sofies do të ishte lëvizja ideale. Me 25 vjecarin bullgar Tirana do të fitonte qendërsulmuesin e munguar këtë sezon, me Mucin të detyruar ta bënte shpesh herë rolin e improvizuar e në të cilin nuk është se impresionoi me 4 gola në 13 ndeshje. I fortë fizikisht, i aftë të imponohet në zonë edhe në luftën në ajër, me 184 centimetrat e tij, Ahmedov do të ishte partneri ideal për Taulant Seferin. Sulmuesi i kombëtares preferon të luajë me depërtime e me shpejtësi lëvizje mes hapësirave që mund ti krijohen nga bullgari.

E po të llogarisësh që rikthimi i Kale e Torassa në mbështetje të tyre, do ti rikthente Tiranës paparashikueshmërinë, që në këtë rast ndoshta do ta justifikonte hipotezën e një largimi të Mucit…