Newcastle i Sheikëve kërkon shpëtimin në janar dhe për të ndryshuar fatet e sezonit tenton të marrë lojtarë me peshë. Në këtë aspekt, Magpies kanë lëvizur për Duvan Zapata. Sipas anglezëve të Daily Record, klubi në pronësi të Fondit të Investimeve Publike të Arabisë Saudite i ka paraqitur bergamaskëve një ofertë prej 30 milionë eurosh, tashmë të refuzuara nga italianët. Klubi zikaltër e vlerëson sulmuesin e tij, që i përfundon kontrata në qershor 2023, jo më pak se 45 milionë dhe sidoqoftë nuk duket i gatshëm ta lërë të shkojë në merkaton e janarit.

Cështje e ngjashme edhe në lidhje me Robin Gosens. Ditët e fundit janë intensifikuar zërat për një marrëveshje pranë akordit mes Magpies dhe anësorit të kombëtares gjermane, i cili mund të nënshkruajë një kontratë prej 3.5 milionë neto në sezon që në janar. Megjithatë, edhe në këtë rast, Atalanta vështirë se do të jepte aprovimin për një lëvizje të tillë të menjëhershme, me lojtarin që është afër rikthimit pas ndalesës së gjatë për shkak të dëmtimit në kofshë.