Pasi po shkon drejt një rikuperimi të jashtëzakonshëm në kampionat, tekniku i Tiranës, Orges Shehi, kërkon një tjetër rezultat prestigji, fitoren në derbi. Sigurisht një derbi nuk është kurrë i thjeshtë, edhe pse Tirana është në moment shumë të mirë e Partizani jo dhe aq, Shehi vetë e ka provuar duke dalë i mundur në fazën e tretë, por ka adrenalinë e motivim mjaftueshëm për të parë skuadrën të performojë në maksimumin e saj.

Ndoshta për këtë arsye, apo edhe për faktin se ka katër ndeshje që nuk pëson gol Shehi nuk do ta ndryshojë linjën katërshe të mbrojtjes që i ka dhënë garanci, me tërheqjen e Tosevskit e Ismajlgecit në krahë. Kampionët në fuqi nuk kanë ndërmend të ndryshojnë sjellje përballë rivalëve të përjetshëm dhe Shehi me 4-2-3-1 e tij do të jetë po ofensiv, me një treshe kualitative pas shpinës së Seferit, si qendërsulmues.

Pa asnjë të skualifikuar, në fakt tekniku ndihet më qetë edhe sepse Kale ka filluar stërvitjen me grupin dhe ka hedhur kandidaturën për një fanellë titullari, në një linjë me Torassa e Halilin. Për brazilianin do të vendoset nesër, por me shumë mundësi roli i rifinitorit do të jetë pikërisht e tij. Po një ditë përpara ndeshjes do të vlerësohet edhe për Halilin, që doli nga fusha kundër krutanëve me një lodhje muskulare, por është kthyer në stërvitje dhe duket se ka rikuperuar. Nëse Halili nuk ia del, atëherë gati është Danso, që ka një motiv më shumë për të shpërblyer pritshmëritë, pas konfliktit tashmë të zgjidhur me trajnerin. E vend më të mirë se në derbi nuk ka…

FORMACIONI I MUNDSHEM: 4-2-3-1
Portier: Bekaj
Mbrojtës: Tosevski, Najdovski, Hoxhallari, Ismailgeci
Mesfushorë: Batha, Çelhaka; Halili, Kale, Torassa
Sulmues: Seferi