Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pret që shtetet anëtare të aleancës të rrisin objektivin e tyre të shpenzimeve të mbrojtjes, që aktualisht qëndron në 2 për qind të GDP-së, kur pritet të takohen për një samit në Vilnius në korrik, tha ai për gazetën gjermane Die Welt.


Qëllimi për të gjitha vendet anëtare të NATO-s, është që çdo vit të investojnë 2 për qind të vlerës së GDP-së së tyre në mbrojtje, transmeton Telegrafi.

 

Shtetet anëtare të NATO-s janë angazhuar në vitin 2014 për të rritur shtrirjen e mbrojtjes për të paktën 2 për qind të GDP-së deri në vitin 2024, për pajisjet e forcave të armatosura.

 

“Supozoj se do të ketë një objektiv të ri për shpenzimet e mbrojtjes kur të takohemi në samitin e NATO-s në Vilnius në korrik të këtij viti”, tha Stoltenberg për Welt.

“Objektivi dy për qind ishte për një dekadë, pra deri në vitin 2024, kështu që tani ne duhet ta përditësojmë atë”, shtoi kreu i Aleancës Veri-Atlantike.

Stoltenberg tha se ende nuk mund të thotë se për çfarë do të bien dakord vendet anëtare.

 

“Supozoj se do të jetë një synim më ambicioz se më parë, sepse të gjithë e shohin që duhet të investojmë më shumë”, shtoi ai.

Që nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë në shkurtin e kaluar, shumë aleatë kanë rritur shpenzimet e tyre ushtarake.