Shtetet e Bashkuara mirëpritën marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo sipas SHBA-së është masa për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve. Në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price përgëzohet marrëveshja e të dy vendeve.  Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë marrëveshjen si “rrugën më e mirë për të çuar përpara të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës”.

Në deklaratë mirëpritet “vendimi i palëve për të vënë interesat e të gjithë qytetarëve të tyre në krye të vendimmarrjes dhe që të ndërmarrin hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të tyre. Të dyja palët bënë një hap gjigant përpara sot me lehtësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe qëndrueshmërisë në të gjithë rajonin”.
Shtetet e Bashkuara thuhet më tej, përshëndesin negociatat konstruktive dhe inkurajojnë përparimin e mëtejshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, tha se pati një bisede të mirë me kryeministrin Albin Kurti.

“E falënderova për angazhimin konstruktiv në gjetjen e një rruge përpara për uljen e tensioneve. Po ashtu edhe për angazhimin për të punuar urgjentisht për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Këtë dialog SHBA-ja e mbështet fuqishëm.”, shkroi ai në rrjetin Twitter.

Kosova dhe Serbia arritën të mërkurën në mbrëmje një marrëveshje lidhur me çështjen e targave të makinave që përdoren nga qytetarët serbë në veriun e Kosovës. Kjo e fundit kishte shtuar shqetësimet për nxitje tensionesh të reja në zonë.
Bashkimi Evropian tha se pas kësaj marrëveshjeje është koha për t’u përqendruar plotësisht në propozimin evropian. Kjo gjë do të bëhet për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Kjo nismë u bë e njohur si propozimi franko-gjerman, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara./VOA