Anësori kosovar, Xherdan Shaqiri gjatë një interviste ka kujtuar periudhën tre vjeçare që kaloi te Liverpool. Ai tha se ende i shikon ndeshjet e gjigantit anglez dhe beson që do të rikthehen në formën e tyre më të mirë.


Fillimisht, futbollisti i Chicago Fire foli rreth përballjes në Kupën e Botës me dy ish-bashkëlojtarët, Alisson dhe Fabinho.

 

”Unë kam pasur gjithmonë marrëdhënie të mira me ata djem dhe do të jem i lumtur t’i shoh përsëri,” tha ai për ‘The Athletic’.

 

Tutje, Shaqiri potencoi se kishte kaluar tre vite të mrekullueshme në Liverpool, derisa tregoi se ende e ka shtëpinë në Manchester (55.18 km është distanca mes Liverpool dhe Manchester).

”E kam ende shtëpinë time në Manchester dhe kur kthehem atje gjithmonë përpiqem të shikoj ndeshje. Kam kaluar tre vite shumë të bukura në Liverpool. Fituam shumë tituj, fituam Ligën e Kampionëve, fituam Kupën e Botës për Klube, fituam Premier League. Ishte një kohë e mrekullueshme.”

”Liverpool do të jetë gjithmonë në zemrën time dhe unë gjithmonë do t’i ndjek se si po ecin. Kam pasur një marrëdhënie të mirë si me klubin ashtu edhe me tifozët,” tha ai.

 

Ndër të tjerash, 31-vjeçari ka thënë se është i bindur që ‘The Reds’ do të rikthehen te rezultatet pozitive.

”Nuk mund të jesh gjithmonë në krye dhe në formën më të mirë siç kanë qenë vitet e fundit. Tani ndoshta skuadrat e tjera dinë më shumë se si të luajnë kundër Liverpool. Por unë jam i sigurt se Liverpool do të dalë nga kjo,” tha ai.

 

Shaqiri në të gjitha garat me skuadrën e drejtuar nga Jurgen Klopp kishte zhvilluar 63 ndeshje. Ai kishte shënuar tetë gola dhe kishte regjistruar nëntë asistime.

Dy momentet e tij më të lavdishme te 19 herë kampionët e Anglisë janë dy golat kundër Manchester United dhe asistimi te Georginio Wijnaldum në golin e tretë në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës.