Sevilla të enjten do të presë West Ham për ndeshjen e parë të 1/8 së Ligës së Evropës. Hammers nuk kishin arritur në këtë fazë të një gare evropiane që nga Kupa e Kupave 1980-81. Kështu, bëhet fjalë për një ngjarje të madhe për tifozët e klubit anglez, të cilët për fat të keq patën një surprizë të hidhur. Shoqëria spanjolle, në fakt ka vendosur çmimin e biletave në kthesa prej 9999 eurosh.

Prioritet për tifozët Rojiblancos. Sevilla dëshiron në këtë mënyrë të dekurajojë tifozët anglezë dhe ka bllokuar disa sektorë të stadiumit, të cilat do t’u dedikohen vetëm abonentëve të klubit. Prandaj, tifozët e West Hamit duhet të paguajnë gati 10 mijë euro për një biletë pas portave, pa harruar se kësaj shifre të cmendur i duhet shtuar kosto e fluturimit dhe hotelit.

Kosto e fluturimeve mes Londrës dhe Seviljes këtë javë arriti çmime të ekzagjeruara. Flitet për rreth një mijë euro për person vajtje-ardhje. Hotelet dhe bujtinat në qytet kanë ndjekur shembullin dhe kanë rritur çmimet e tyre. Për tifozët e Hammers, ndeshja si miq në Sevilje po kthehet në një luks të vërtetë.

Ndryshe është situata për tifozët spanjollë. Çmimi i biletave për Rojiblancos është krejt ndryshe. Në fakt, ajo fillon nga 35 euro dhe abonentët kanë akses në zbritje deri në 50%. Klubi andaluzian, siç shpjegon Marca, dëshiron të krijojë një atmosferë “frikësuese” për të siguruar që skuadra e Julen Lopeteguit të ketë një avantazh në ndeshjen e parë. Prandaj klubi synon të mbushë stadiumin me tifozët e tij.

Ja pse çmimet e biletave pas portave, për Hammers, po shkojnë në qiell. Klubi gjithashtu po përpiqet të sigurojë që ata pak tifozë të West Ham, që arrijnë në stadium, të shpërndahen nëpër tribuna dhe nuk do të jenë së bashku në një zonë të caktuar të impiantit.

Sevilla dëshiron të fitojë me çdo kusht dhe gjithashtu përpiqet të ketë mbështetjen e duhur. Ndërkohë, skuadra e Lopeteguit mbetet e dyta në La Liga, por ka humbur terren ndaj Real Madridit në javët e fundit, pavarësisht se është i pamposhtur në kampionat që nga humbja ndaj Los Blancos në nëntor.