Serbët e veriut të Kosovës, të cilët kanë braktisur institucionet e Kosovës, vazhdojnë të nënshkruajnë kontratat e ofruara nga shteti i Serbisë.

Në këto kontrata theksohet se kryerësi i punës merr përsipër të kryejë punën për Organin e përkohshëm dhe Zyrën për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, për “mbështetje të komunitetit serb” në veri të Kosovës.

Në kontratën mbi vepër thuhet se kryerësi i punëve do t’i kryejë ato në përputhje me “urdhrin dhe nevojën e treguar”. Megjithatë, nuk specifikohet se cilat punë do të jenë ato.

Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se çfarë nënkupton “kryerja e punëve për mbështetje të komunitetin serb”.

Gjithashtu nuk ka pasur sqarime se çfarë do të thotë “kontratë për angazhim të posaçëm pune”, duke pasur parasysh se një kontratë e tillë nuk ekziston në Ligjin e punës në Serbi.

Në anën tjetër, legjislacioni i Kosovës e njeh “kontratën për detyrë të veçantë”, e cila lidhet për më së shumti 120 ditë gjatë vitit dhe kjo kontratë nuk parasheh, ndër të tjera, të drejtën për pushime.

Sipas rregullores në Serbi, kontrata mbi vepër e nënshkruar nga punëtorët, lidhet me qëllim të kryerjes së punëve që janë jashtë veprimtarisë së punëdhënësit, ndërkaq punëtori nuk i ka të drejtat e njëjta sikurse të punësuarit, ndër të tjera, kontrata nuk parashikon të drejtën e pushimeve vjetore dhe pushimit mjekësor.

Nënshkrimi i kontratës nënkupton që nënshkruesi do të marrë pagën për muajin nëntor në sistemin e Serbisë, në kuadër të institucioneve paralele – Organeve të përkohshëm të katër komunave në veri të Kosovës. Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës që të japë komentin e saj lidhur me njoftimin se autoritetet e Serbisë kanë ofruar kontrata për serbët që kanë braktisur institucionet e Kosovës në veri të vendit. Por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka kthyer përgjigje./Rel