Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për vendosjen e sanksioneve për politikanë dhe individë të lidhur me krimin, nga ana e Britanisë së Madhe.

Basha thotë në një postim në Twitter se blerja e votës dhe keqpërdorimi i fondeve publike vazhdon të jetë një problem madhor në politikën shqiptare, teksa bën thirrje për reforma zgjedhore.

“Mbështetja, që disa figura publike marrin nga kriminelët në shkëmbim të akteve të tyre korruptive, e mbyt zërin e qytetarëve shqiptarë. Si tregon edhe raporti i OSBE-së për monitorimin ndërkombëtar të zgjedhjeve të vitit të kaluar, blerja e votës dhe keqpërdorimi i fondeve publike vazhdon të jetë një problem madhor në politikën shqiptare. Për aq kohë sa politikanët janë në gjendje të bashkëpunojnë me kriminelët për të blerë, shantazhuar dhe kanosur votuesit, demokracia shqiptare do të mbetet e brishtë dhe e paplotë. Tani nevojiten ndryshime të tjera si dhe reforma zgjedhore”, shkruan Basha.