Kryeministri Edi Rama ka publikuar një foto në rrjetet sociale nga samiti i Procesit të Berlinit, ku shfaqet krah kancelarit Olaf Scholz dhe ministres së jashtme gjermane, Annalena Baerbock. Në samit, përveç gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, marrin pjesë gjithashtu vendet partnere, përfaqësues të Bashkimit Evropian.
Siç bëhet e ditur nga qarqe qeveritare në Berlin, në qendër të samitit qëndron nënshkrimi i një marrëveshjeje që përfshin shkëmbimin e studentëve dhe lehtësimin e qasjes në institucionet arsimore të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo marrëveshje synon të thjeshtojë njohjen reciproke të kualifikimeve akademike dhe diplomave universitare, duke lehtësuar mobilitetin e studentëve dhe mundësitë e tyre për të studiuar në universitetet e vendeve të tjera të rajonit.
Gjithashtu, pritet të miratohet një plan i ri veprimi për Tregun e Përbashkët Rajonal, i cili synon të harmonizojë standardet sociale dhe të punës, si dhe të lehtësojë qarkullimin e mallrave, shërbimeve dhe njerëzve brenda rajonit.