Edhe pse Edi Rama tha dje se data 6 dhjetor nuk do të jetë pushim për administratën publike, për shkak të samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet në Tiranë, shumë institucione janë njoftuar që nesër në fakt do duhet të qëndrojnë në shtëpi.

Kështu sic mëson Lapsi.al Ministria e Financave, Ministria e Bujqësisë, Ministria Turizmit, Ministria e Brendshme, Ministria e Infrastrukturës, KLSH dhe Bashkia Tiranë, nesër nuk do të jenë të hapura. Punonjësve iu është kërkuar të punojnë online, por më shumë sesa punë në fakt është thjesht një ditë më tepër pushim, për të mos krijuar trafik në rrugët e Tiranës.

Delegacionet nga vendet e BE-së nesër në mëngjes pritet të mbërrijnë në vendin tonë. Disa prej akseve kryesore të Tiranës rreth “zonës së kuqe” do të jenë të bllokuara deri vonë pasdite kur të largohen gjithë delegacionet.