Qytetet ukrainase janë në gjendje të shtuar alarmi, mes paralajmërimeve se Rusia do të shtojë sulmet në prag të festës së pavarësisë, më 24 gusht. Ambasada amerikane në Kiev u kërkoi qytetarëve të saj që gjenden ende në Ukrainë të largohen menjëherë. Departamenti Amerikan i Shtetit tha se ka informacioni mbi faktin se Rusia mund të intensifikojë sulmet kundër infrastrukturave civile dhe qeveritare gjatë ditëve në vazhdim.

Më herët edhe presidenti Zelenski foli për mundësinë e atyre që i quajti akte të shëmtuara dhe neveritshme të ushtrisë ruse, ndërsa Ukraina shënon 31 vjetorin e pavarësisë. Në videomesazhin e fundit, Zelenski përsëriti thirrjen që Rusia të shpallet shtet terrorist.

“U jam mirënjohës të gjithë miqve tanë rreth botës të cilët po promovojnë nevojën për ta shpallur Rusinë si shtet terrorist. Ky vendim do të vijë, shpejt a vonë dhe pyetja është se sa jetë njerëzish do të marrë Rusia para se reagimi i komunitetit ndërkombëtar ndaj atyre që janë përgjegjës për terrorin, të jetë vertet i prekshëm”, tha Zelenski.

Kievi ka ndaluar mbajtjen e aktiviteteve publike për festën e pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik ditën e mërkurë e po ashtu qytete të tjera ukrainase njoftuan kufizime mes frikës për sulme të shtuara nga forcat e Moskës. Ushtria ukrainase tha të martën se Rusia kishte bombarduar sërish rajonin e Zaporizhzhas, ku gjendet centrali më i madh bërthamor në Europë. Luftimet në zonë kanë nxitur shqetësimet për një katastrofë bërthamore të ngjashme me atë të Çernobilit. Shefi i shtabit të Forcave të Armatosura ukrainase raportoi sulme edhe në Harkiv, Slloviansk dhe Kramatorsk.