Inteligjenca britanike e mbrojtjes ka thënë se beson që flota ruse në Detin e Zi ka lëvizur nëndetëset. Lëvizja është bërë nga porti i Gadishullit të Krimesë, drejt jugut të Rusisë, për shkak të kërcënimit nga sulmet ukrainase.

Ministria britanike e Mbrojtjes, ka deklaruar se komanda e flotës në Detin e Zi “pothuajse me siguri ka lëvizur nëndetëset e stilit KILO”, drejt Novorosiskut në Krasnodar Krai.

“Kjo gjë ka shumë mundësi të ketë ndodhur për shkak të ndryshimeve të fundit. I  referohemi këtu rritjes së nivelit të kërcënimit nga kapaciteti ukrainas për sulme me rreze të gjatë.”

Kështu thuhet në vlerësimin e publikuar këtë të martë. Ministria britanike ka cituar sulmet që kanë ndodhur në dy muajt e fundit në bazën e flotës ruse dhe bazën e aviacionit detar.

“Siguria e bazës tani rrezikohet drejtpërdrejt nga agresioni i vazhdueshëm
i Rusisë kundër Ukrainës”, ka thënë ministria britanike.

Ushtria ukrainase ka nisur një kundërofensivë në fillim të muajit shtator, për të rikthyer kontrollin në territoret e pushtuara nga forcat ruse, prej nisjes së luftës në fund të muajit shkurt. Ushtria ukrainase pretendon se ka fituar kontrollin e mbi 8.000 kilometrave katrorë në rajonin e Harkivit, prej nisjes së kundërofensivës. Ushtria ruse ka thënë se trupat e saj janë tërhequr nga Harkivi për t’u rigrupuar.

Megjithatë, ekspertët besojnë se Rusia ka përdorur arsyetim të njëjtë edhe kur ka dështuar që të fitojë kontrollin e Kievit, disa javë pas nisjes së luftës, dhe për pasojë është tërhequr nga ai rajon. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./Radio Evropa e Lirë.