Një grua ukrainase ka blerë automatik, përkrenaren dhe pajisjet e saj, pasi frika e një pushtimi rus rritet. Mariana Zhaglo, është studiuese marketingu dhe shpenzoi 1,300 dollarë për armën, pasi fillimisht u konsultua me ushtarët për llojin që duhet të marrë.

Nëna e tre fëmijëve bleu një karabinë Zbroyar Z-15, pushkë gjuetie, por 52-vjeçarja nuk e bleu për të qëlluar drerët.

“Si nënë nuk dua që fëmijët e mi të trashëgojnë problemet e Ukrainës, ose që këto kërcënime t’u kalojnë atyre. Është më mirë të merrem me këtë tani”, tha ajo për The Times.

“Nëse bëhet fjalë, atëherë ne do të luftojmë për Kievin; ne do të luftojmë për të mbrojtur qytetin tonë. Nëse fillojnë luftimet, ata do të vijnë këtu. Kievi është objektiv kryesor”, shtoi ajo.

Krahas blerjes së pushkës së saj, Mariana, është bërë anëtare e Forcave të Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës (TDF), ndërsa ka edhe një silenciator dhe pamje teleskopike të fiksuar në armë.

TDF është njësi vullnetare e forcave të armatosura të Ukrainës. Ajo bleu gjithashtu një përkrenare, kamuflazh bore, qese municionesh, çizme dhe uniformë të ushtrisë britanike për 1000 dollarë. Gjithashtu ajo shkoi në një kurs dy-javor për snajper.

Krahas armës së saj të re, ajo tha për Times se kishte rezervuar furnizime dhe ushqime, duke përfshirë “shumë e shumë municion”.

Mariana nuk është e vetmja. Qytetarët e zakonshëm janë grumbulluar për t’u bashkuar me radhët e TDF dhe për të marrë trajnime ushtarake ndërsa forcat e Vlaidimr Putin ndodhen në kufi.