Pas dhjetë ditësh, katër mijë mësues nga i gjithë vendi do të futen në provimin për rritje page e njëherësh rritje në kategorinë e kualifikimit.

Ndryshe nga vitet e kaluara ku merrnin pjesë diçka më pak se tre mijë arsimtarë, pas ndryshimeve në udhëzim, pjesëmarrja në provim është rritur me gati 30 për qind. Pra, nga 2800-2900 mësues që testoheshin zakonisht çdo vit, tanimë do të jenë plot 4 mijë, sipas burimeve në Ministrinë e Arsimit.

Provimi që është parashikuar të mbahet në datën 9 prill do të ketë 70 pikë dhe do të jetë i ndarë në dy pjesë, 30 prej të cilave i ka e para, që lidhet me formimin e përgjithshëm të mësuesit, programet mësimore, metodologjinë e mësimdhënies dhe drejtshkrimin; ndërsa 40 pikë përmban pjesa e dytë, me pyetje nga pjesa shkencore ose lënda ku është profilizuar mësuesi.

Dy vite më parë, Ministria e Arsimit bëri një ndryshim që penalizonte mësuesit mbetës në dy pjesëmarrje radhazi dhe vendi i punës shpallej i lirë. Diçka e tillë shkaktoi jo pak panik në radhët e mësuesve dhe ndikoi në rezultat. Si rrallëherë, përqindja e ngalësve u rrit ndjeshëm, me 35%.

Një vit më vonë, udhëzimi u shfuqizua duke lënë pa afat mundësitë e testimit të mësuesve që donin të fitoni një kategori më të lartë.

I vetmi penalitet do të jetë mosmarrja e shtesës së pagës, e cila varion nga 700 deri në 1400 lekë, varësisht nga kategoria e fituar.