Franca ka pezulluar një plan për të pranuar 3,500 refugjatë aktualisht në Itali. Kjo pasi Roma refuzoi të linte një anije shpëtimi emigrantësh të zbarkonte në brigjet e saj. Tensionet mes dy fqinjëve janë përshkallëzuar pasi qeveria e Italisë ndaloi anijen Ocean Viking të ankorohej me 230 emigrantë. Franca ka denoncuar “sjelljen e papranueshme”. Italia këmbëngul se ka marrë pjesën e saj të emigrantëve.

Ocean Viking, anije e operuar nga një organizatë joqeveritare franceze, i kishte marrë emigrantët në det pranë bregut të Libisë. Ata kishin kaluar javë të tëra duke kërkuar një port për t’i pranuar. Ministri i Brendshëm francez Gérald Darmanin paralajmëroi për “pasoja jashtëzakonisht të rënda për marrëdhëniet tona dypalëshe” me Italinë. Si fillim, Franca nuk do të pranonte 3500 refugjatë që kishte rënë dakord më parë me Italinë për të pranuar në shenjë proteste ndaj veprimeve të Romës. Ai tha gjithashtu se Franca do të marrë masa për të forcuar kontrollet në kufirin me Italinë.