Nuk mjafton ndjesa e Ronaldos. Tifozi i ri i Evertonit është ende i tronditur dhe nuk dëshiron ta shohë më portugezin. Gjithçka filloi këtë fundjavë pas humbjes 1-0 të Manchester United në Goodison Park. 37-vjeçari ka hedhur në tokë celularin e djalit që po e filmonte gjatë daljes së tij nga fusha. Klubi ka bërë të ditur se nuk do të ndëshkojë CR7 sepse e konsideron të mjaftueshme faljen e kërkuar nga lojtari. Policia e Merseyside, megjithatë, po heton çështjen, pasi nëna e djalit deklaroi publikisht se i biri, i cili vuan nga dispraksia dhe autizmi, është “sulmuar” nga portugezi dhe ka pësuar një mavijosje në dorë.

Mamaja e 14-vjeçarit, duke folur për Telegraph Sport, po ashtu ka thënë se ndjesa e sulmuesit e ka zemëruar edhe më shumë: “Ndjesa, ose më saktë, mungesa e ndjesës ishte ajo që më zemëroi edhe më shumë. Mendova ‘Çfarë vrazhdësie, po u thua të gjithëve që kërkove falje dhe nuk e bëre’. Në rregull, ke shkruar në rrjetet sociale, por duhet t’i kërkosh falje djalit tim. Ronaldo kishte disa orë për të reflektuar për këtë. Ai duhet të kishte provuar të na kontaktonte privatisht dhe vetëm atëherë të shkruante diçka duke thënë se ka folur me ne. Do të isha e lumtur”.

Historia e Sarah Kelly vazhdon: “Në atë moment kishte shumë njerëz të tjerë që mbanin në duar një smartphone. Jacob ishte në botën e tij. Teksa Ronaldo po largohej, ai më tha ‘Mami është i dëmtuar, po e filmoj’. Unë i thashë: ‘Ok’. As nuk e mendova. Ai as nuk po e shikonte Ronaldon, po shikonte se çfarë i kishte ndodhur këmbës së tij dhe nuk e kuptoi situatën derisa telefoni i ra në tokë. Mund të shihja tronditjen në fytyrën e Jacob”.

Për gruan, ndjesa e Ronaldos ishte shumë e dobët: “Ai tha atë që tha. Isha shumë e tronditur që United nuk lëshoi një deklaratë ku të na kërkonte të lidhnim me ta, diçka pak më të përzemërt në krahasim me Ronaldon që tha se tifozi mund të shkojë tek ai. Kjo më duket vërtet e pasjellshme. Përse ne, si tifozë të Evertonit, duhet të shkojmë te United? Ka shkruar “ky tifoz”. As nuk e ka specifikuar nëse ishte tifoz i Everton apo i United. Është një ndjesë shumë, shumë e dobëta për mendimin tim”.

Gruaja, në lidhje me ftesën e Ronaldos për të shkuar në Old Trafford, në fund bëri të ditur se djali i saj nuk dëshiron ta shohë më portugezin: “E pyeta ‘A dëshiron të shkosh? Ronaldo tha se mund të shkojmë te United. Ai tha: ‘Jo, mami, nuk dua ta shoh më kurrë’. Është tronditëse sepse Ronaldo ishte një nga arsyet që ai donte të shkonte në ndeshjen me United”.