Fotomontazhi i Cristiano Ronaldos me fanellën e PSG, së bashku me rivalin e tij të përjetshëm Leo Messi, me të cilin prej vitesh duelon për të rrëmbyer skeptrin e futbollit botëror, ndezi merkaton një javë nga mbyllja e dyerve. E ardhmja e yllit portugez të Juves mbetet një pikëpyetje e madhe, pavarësisht mohimeve të bardhezinjve në lidhje me lamtumirën e tij dhe një kontrate që skadon pas një viti. Tani për tani, asnjë ofertë e vërtetë nuk ka mbërritur në Torino, përkundrazi menaxheri i Cristiano Ronaldos, Jorge Mendes ka trokitur – pa marrë rezultate – në derën e Psg, Real Madrid, Manchester City dhe Manchester United për klientin e tij, i cili dëshiron të ndryshojë ambjent pas kthimit të Allegrit në pankinë dhe fundit të mbretërimit të tij të padiskutueshëm. Dje menaxheri i fuqishëm ka testuar terrenin në shtëpinë e City, që ndjek Harry Kane por që, tani për tani, ka marrë vetëm ‘jo’ nga Tottenham, madje edhe për ofertën prej 145 milionë.

Mbeten dy rrugë të hapura për Cristiano Ronaldon, vetëm dy mundësi për t’u larguar nga Juve, që, nga ana e tij, ‘duhet’ të arkëtojë 28 milionë euro nga operacioni për të shmangur minusvalencat. E para është drejt PSG-së, ku ai do të zinte vendin e Mbapé, që refuzoi një rinovim pesëvjeçar prej 25 milionë neto dhe që dëshiron të largohet për të luajtur në ekipin e ëndrrave të tij, Real Madrid (ofertë shokuese prej 160 milionë), e dyta është për në Manchester. “Ronaldo shkon te City”, shkruante L’Equipe dje në edicionin e tij në internet, duke hedhur kështu poshtë hipotezën e Parisit dhe në vend të kësaj, duke nxehur pistën që të çon direkt te Pep Guardiola. Shtatë ditë janë të pak për të mbyllur një operacion të ndërlidhur, sepse fati i CR7 është i lidhur ngushtë me ato të Mbappé në njërën anë dhe Kane në anën tjetër. Por Mendes dëshiron të gjejë një zgjidhje me çdo kusht.