Sezon për t’u harruar për Cristiano Ronaldon, i cili humbet trofe dhe humbet gjithashtu edhe bonuseet. Portugezi u rikthye te Manchester United verën e kaluar me një kontratë të lidhur shumë me bonuset, për të kompensuar shkurtimin e pagës së tij. Në të vërtetë, Djajtë e Kuq mirëpritën CR7 në Old Trafford, por lojtari duhej të pranonte një pagë dukshëm më të ndryshme nga ajo e marrë te Juventus. Klubi i Premier League e ka përgjysmuar pagën, krahasuar me atë të Torinos, por kishte shtuar disa bonuse.

Portugezi, megjithatë, i ka thënë lamtumirën disa prej tyre që në këtë pikë të sezonit. Manchester United për të pestin sezon radhazi nuk do të fitojë trofe dhe për këtë arsye CR7 do të humbasë bonuset. Ronaldo, në fakt, do t’i duhet t’i thotë lamtumirë 5 milionë stërlinave për shkak të sezonit të tmerrshëm të klubit.

Humbja më e rëndë është ajo në fazën e 1/8 e Ligës së Kampionëve ndaj Atletico Madrid. Nëse portugezi do të kishte arritur në finalen e Parisit në maj, ai do të kishte fituar rreth 2.5 milionë stërlina. Dështimit europian i shtohet edhe ai në kompeticionet kombëtare, që fshin shpërblimet e tjera për CR7. Nëse Djajtë e Kuq nuk arrijnë në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm, Ronaldo do të duhet t’i thotë lamtumirë një tjetër bonusi.

37-vjeçari, siç shpjegon The Sun, rrezikon të kënaqet vetëm me një bonus, atë si golashënuesi më i mirë i United. Ronaldo deri më tani ka shënuar 18 gola dhe tre asiste në 33 ndeshje. Pas tij, për momentin, është Bruno Fernandes, i cili ka shënuar “vetëm” nëntë gola.

Përveç bonusit, sulmuesi tani është i fokusuar edhe te objektivi Kupa e Botës. Portugalia, pas fitores 3-1 ndaj Turqisë, do të përballet me Maqedoninë e Veriut në finalen e play-off në Dragao. Në rast fitore, Ronaldo dhe shokët e tij të skuadrës do të fitonin një kalim për në Katar 2022.