Çështja Cristiano Ronaldo në kampin e Juventus duket se është e destinuar të mbyllet pa shumë dëme. Dalja me polemika nga fusha në momentin e zëvendësimit e kthimi në shtëpi pa pritur të përfundojë ndeshja kundër Milan, ka hedhur pluhur mbi makinën perfekte bardhezi, por ingranazhet nuk mund të pengohen me kaq. Të paktën kjo është ajo që duket në ambjentin juventin tre ditë nga kaosi. Sarri tentoi menjëherë të zbuste tonet e cështjes dhe madje edhe postimi i portugezit, pas ndeshjes, të linte të kuptoje se gjithcka kishte përfunduar aty.

Në realitet tifozët e Juventus nuk e kanë pëlqyer shumë sjelljen e CR7, edhe pse janë të gatshëm të mbyllin një sy. Ashtu si do të bëjë shoqëria, që, të paktën publikisht, nuk do të thërrasë për sqarim 5 herë fituesin e Topit të Artë.

Për sa i përket dhomave të zhveshjes, duket se askush mes shokëve nuk është shqetësuar nga veprimi i Ronaldos e menjëherë pas incidentit e kishin konsideruar krejt “normal”. Nuk përjashtohet që Ronaldo të kërkojë ndjesë me ndonjë gjest të vecantë pas kthimit nga impenjimet me Kombtaren, edhe pse nga ai të gjithë presin vetëm një gjë: golat decizivë.