E pabesueshme, por e vërtetë. Lazio dhe Roma kthehen të bëjnë një shkëmbim merkato dyzet vjet nga hera e fundit. Sulmuesi spanjoll Pedro, i lënë jashtë skuadre nga Mourinho, ka bërë një marrëveshje me klubin bardhekaltër, ku do të marrë të njëjtën pagë (rreth 3 milionë) që i garantonte kontrata me Romën. Klubi verdhekuq e la spanjollin të largohet pa asnjë kompensim, bëhet fjalë për një transferim me kosto zero. Sidoqoftë, për Romën ka një kursim të konsiderueshëm. Ish-sulmuesi i Chelsea do t’i kushtonte klubit të Friedkin 8 milionë të tjera bruto për dy sezonet e ardhshme. Pedro gjithashtu hoqi dorë nga pagesa mujore e gushtit, e cila i takonte. Për Romën, ndër të tjera, ishte thelbësore që lojtari të kalonte në një klub italian. Sepse në rast të një lëvizje jashtë vendit, verdhekuqtë duhet ti paguanin 2 milionë euro autoriteteve tatimore italiane, pasi një vit më parë për regjistrimin e spanjollit romanët shfrytëzuan Dekretin e Rritjes, që i lejoi një ulje të taksës mbi të ardhurat.

Dhe të mendosh se dy shoqëritë kryeqytetase nuk kishin bërë biznes me njëra-tjetrën prej dyzet vjetësh. Kalimi i fundit nga njëra anë e Tiberit në tjetrën ndodhi në 1981, kur Carletto Perrone kaloi nga bardhekaltrit te verdhekuqtë. Disa vjet më parë transferimi i Ciccio Cordova nga Roma te Lazio kishte bërë zhurmë (dhe shkaktoi shumë pakënaqësi). Por në përgjithësi, edhe duke u kthyer pas në kohë, ka pasur shumë pak ndryshime të fanellave mes dy skuadrave nga kryeqyteti. Në vitet 50, shënoi një epokë sulmuesi suedez Selmosson me kalimin nga Lazio në Romë. Në vitet 1930, kampioni i botës Attilio Ferraris bëri rrugën e kundërt. Në ato vite edhe legjendari Fulvio Bernardini luajti fillimisht për Lazion dhe më pas për Romën, por mes dy përvojave pati një interval dy-vjeçar me Interin. Situatë e ngjashme me atë të përjetuar nga Lionello Manfredonia në vitet 70-80. Edhe për të në fillim ishte Lazio dhe më pas Roma, me një “ndërmjetësim” dyvjeçar te Juventus. Në kohët e fundit, lojtarët e ndryshëm Peruzzi, Mihajlovic dhe Fuser mbanin të dyja fanellat, por gjithmonë me intervale pak a shumë të gjata midis një aventure dhe tjetrës.

Tani është radha e Pedros. Marrëveshja u krye, deri në atë pikë sa Lazio shpreson të jetë në gjendje ta reshtojë atë të shtunën në Empoli, në fillim të kampionatit. Por gjithmonë nëse treguesi i likuiditetit e lejon. Nga kjo pikëpamje, megjithatë, duket se ka lajme pozitive. Edhe pse shoqëria nuk e konfirmon zyrtarisht, dje duhet të ketë filluar procesi i vetëfinancimit, që do të lejojë klubin të bëjë aktiv përsëri treguesin e likuiditetit, me injektimin e rreth 10 milionë eurove në arkën e shoqërisë. Kështu do të hapej drita jeshile për regjistrimin e lojtarëve të blerë tashmë (Anderson, Hysaj, Kamenovic, Romero), për Radu i cili ka rinovuar kontratën e tij e gjithashtu për Pedron. Nëse është kështu, të gjithë do të ishin të përdorshëm nga Sarri të shtunën në Empoli.