Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka zbardhur vendimin e marrë gjatë orëve të vona në mbledhjen e Komitetit të Mbrojtjes Civile. Në një intervistë për emisionin “7 pa 5”, Peleshi deklaroi për herë të parë se ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku është autorizuar për të bërë zëvendësimin e kontrollorëve. Peleshi siguroi se do të merret çdo masë për të rinisur sa më parë puna.

“Pika e parë ngarkon ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë për marrjen e masave të nevojshme për të bërë të mundur rikthimin e punës, qoftë edhe duke zëvendësuar e kontrollorët, qoftë me të huaj, qoftë me vendas; të përcaktojë kriteret e licencimit për të rinisur fluturimet sa më parë dhe të bëhet çfarë është e nevojshme për rifillimin gradual të punës. Nuk mund të rrimë në vend, nuk mund të ngelemi peng i lojës politike, do të kryej deri në fund detyrën time si ministër, nisur nga rezultati i këtij Komiteti, ministrja Balluku ngarkohet për të bërë gjithçka për të rifilluar punën. Njerëzit kanë shumë pikëpyetje kur do të vijnë, kur do të ikin, priten vaksinat, e kemi vlerësuar si një kërcënim për Mbrojtjen Civile dhe kemi marrë këtë vendim.” tha Peleshi.

Qysh prej të mërkurës, fluturimet në Rinas janë pezulluar për shkak të protestës së kontrollorëve, që kundërshtojnë uljen e pagës prej pandemisë dhe shkarkimet selektive të disave prej tyre.