Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, në fjalën e saj nga foltorja e Parlamentit ku po diskutohet në lidhje me projekt rezolutën e cila dënon gjenocidin në Srebrenicë, tha se Parlamenti ynë duhej të kishte miratuar një rezolutë të tillë shumë kohë më parë.

Ajo kërkoi që deputetët të bëhen bashkë në miratimin e saj, edhe pse shtoi se nuk ishte një rezolutë e plotë, pasi në dokument duhet të përmendet edhe Serbia.

Fjala e plotë:

I nderuar shkëlqesi ambasador i Bosnjes

 

 

Të nderuar kolegë

Njëzet e shtatë vite më parë, nën drejtimin e Ratko Mlladiç forcat serbe në Srebrenicë kryen një nga aktet më brutale dhe kriminale në historinë e trishtë dhe jo pak të errët të Ballkanit.

Nën ideologjinë e shoviznit dhe një pastrim etnik të kalkuluar deri në detaj, nën frymëzimin e një njeriu që sot po gjykohet në Hagë për krime kundër njerëzimit, mbi 8 mijë burra e djem të rinj u masakruan në mënyrën më çnjerëzore dhe u hodhen në një gropë të madhe që do të ishte varri i parë masiv që pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore në Europë.

Nën shenjën e kësaj dite, një vit më parë në korrikun 2021 PD në atë kohë do të përkujtonte masakrën e Srebrenicës dhe do t’i premtonte shqiptarëve një rezolutë për dënimin e kësaj masakre në Kuvendin e Shqipërisë.

Një projektrezolutë që u përpunua nga një grup ekspertësh brenda PD dhe më tej iu kalua deputetëve për t’u diskutuar.

Historia e trishtë e kombit tonë, duhet të jetë leksion për të ndërtuar dhe bashkëpunuar me disa parime dhe ideale mbi të cilat duhet të ngrihet shoqëria jonë.

Prandaj ka qenë dhe mbetet e vështirë për mua që Parlamenti i vendit tim të miratojë vetëm sot një projektrezolutë për dënimin e Genocidit serb në Srebrenicë.

Do të qe e udhës që kjo rezolutë të ishte miratuar kohë më parë jo vetëm si shenjë e empatisë ndaj viktimave të një agresori që 4 vite më pas do të përsëriste kasaphanën mbi shqiptarët e Kosovës.

Por mbi të gjitha, si një shenjë e qartë e ndëshkimit dhe dënimit të monstruozitetit të ideologjisë shoviniste që duhet thënë se nuk është pronë e një etnie apo kombi, por që duhet dënuar gjithsesi.

Prandaj ky hap i sotëm, nderon parlamentin e Shqipërisë, na nderon ne si deputetë të këtij parlamenti dhe gjithashtu edhe kombin tonë.

Sakaq, më duhet të theksoj dhe të nënvizoj se ky nderim është i mangët dhe i paplotë nëse kjo projektrezolutë miratohet siç kjo mazhorancë e ka propozuar.

Do të ishte në ndershmërinë dhe sinqeritetin e këtij akti nëse kësaj projektrezolute do t’i bashkangjiteshin amendimet e kërkuara nga grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.

Të gjithë ne duhet të jemi të bindur se nuk mundet, e përsëris, nuk mundet që të konsiderojmë të plotë një rezolutë e cila nuk shkruan të zezë mbi të bardhë ndëshkimin e genocidit serb mbi Srebrenicën.

Kjo pasi është e pamenduar dhe totalisht jashtë çdo realiteti të kërkimit të llogarisë për mohimin e këtij genocidi, përfshirë dhe Republikës Srpska, nëse nuk jemi ne fillimisht ata që e dënojmë në një dokument zyrtar gjenocidin.

Pak ditë më parë Radio Europa e Lirë nxorri një lajm në të cilin mësuam se si në rrjet po sponsorizohet mohimi i kësaj tragjedie. Ndërkohë që masat po merren për të mos lejuar lajmet e rreme mbi këtë genocid të përhapen si të vërteta.

A e kemi ne luksin si komb të mos ndëshkojmë krimin që forca regresive kryen mbi 8 mijë boshnjakë vetëm pse ato ishin të një etnie dhe një besimi tjetër fetar?

A mund të mos jemi ne njësoj si Mali i Zi që mes njëmijë e një sikleteve ka mundur të dënojë krimet e forcave serbe në Bosnje ndaj popullatës së Srebrenicës?!

Të nderuar kolegë.

Ju ftoj të reflektojmë jo aq sa për të përmbushur qëllimin politik të grupi parlamentar të PD se sa për të përmbushur detyrimin që kemi ndaj vlerave univesale të njeriut.

Të nderuar kolegë socialistë, ju ftoj të reflektojmë mbi amendamentet e paraqitura jo për të përmbushur premtimin që PD morri në 11 korrikun 2021 ndërsa përkujtonte genocidin mbi boshnjakët. Por ju ftoj të reflektojmë mbi parimet dhe vlerat më humane që ne bashkëndajmë nën këtë qiell e në këtë tokë.
Unë besoj se nuk mund të kemi drejtësi dhe as nuk mund t’i trashëgojmë fëmijëve tanë një botë më të mirë nëse nga kjo sallë ne nuk do të miratonim një rezolutë të plotë që nuk kërkon vetëm se të mos harrojmë për tmerret e të djeshmes por mbi të gjitha t’i dënojmë ato krime.

Në fakt, dhe në të vërtetë, është shumë e trishtueshme kur dëgjon dhe sheh se si individë të caktuar kanë një përkushtim të paimagjinueshëm për të mohuar krimet.

Kjo më ngjan për fatin e keq njësoj si ata shqiptarë që mohojnë krimet e komunizmit, një tragjedi më vete e atyre që duan të zhdukin vrasjet dhe krimet duke i justifikuar.
Mohimi i tyre nuk vjen nga asnjë dëshirë tjetër përpos se të ndërtojnë jo një shoqëri më të mirë dhe as një rajon më të paqshëm ku bashkëjetesa dhe mundësitë e barabarta të jenë për të gjithë pa dallim etnie apo besimi.

Të heshtësh dhe akoma më tej të mohosh këtë genocid është të pranosh padrejtësinë. Do të thotë të mohosh gjithashtu historinë që i ka ndodhur edhe kombit tonë ndër vite me spastrime etnike.

Ne nuk mund të jetojmë dhe as mund të prosperojmë në një rajon që mohon të vërtetat e hidhura.
Pasi nuk mund të ndërtohet bashkëpunimi mbi mohimin e krimeve dhe as me heshtjen për shkaqet dhe përgjegjësitë që kanë çuar në masakrën më të madhe të pas luftës së dytë botërore.
I ndjeri Alija Izetbegoviç do ta quante Bosnjen idenë dhe besimin se njerëz me besime, etni dhe tradita kulturore të ndryshme mund të jetonin së bashku.

Pra reflektimi mbi genocidin që nuk e dëshironte këtë Bosnje është në të vërtetë një reflektim mbi një Ballkan që nuk është dhe nuk duhet të jetë më kurrë një fuçi baruti. Por një gadishull ku bashkëjetojnë njerëz me besime, etni dhe tradita të ndryshme kulturore.
Prandaj sot ne jo vetëm nderojmë veten tonë, kombin tonë dhe shqiptarinë duke përkujtuar masakrën e Srebrenicës.

Kjo sallë, duhet të ngrihet mbi palët. Jo në emër të ndonjë ligji, por në të emër të së ardhmes duke dënuar mizorinë, duke dënuar genocidin serb në Srebrenicë.

Në emër të qindra mijëra grave të përdhunuara mizorisht nga forcat serbe, të nënave që panë me sytë e tyre tmerrin e një varri masiv.
Ne, nuk mund të heshtim për të vërtetën. Nuk mund të mohojmë dhe kafshojmë gjuhën tonë duke mohuar të vërtetën.

Për të perifrazuar Primo Levin; Kush mohon Srebrenicën apo genocidin në Kosovë është i gatshëm t’i ripërsërisë ato!
Prandaj ne nuk duhet të lejojmë që të harrohet!

Faleminderit!