kastriot_ismailaj_4508
Ish-drejtuesi i kompanisë DIA, Kastriot Ismailaj, ruhet nën masa të forta sigurie në Burgun 302 në Tiranë. Burimet konfidenciale tregojnë masat që janë marrë për Ismailajn. Qëndron i vetëm në qeli dhe nuk i lejohet asnjë kontakt me të dënuarit. “Të dyshuarit për mashtrim dhe pastrim parash nuk i lejohet komunikimi në telefon, kontroll i rreptë ushqimor dhe në ajrim del me grup të gatshëm”-raporton Mapo.
Është data 1 tetor, darkë vonë, ka lëvizje në Burgun 302 në Tiranë, po transferohej një i paraburgosur i rëndësishëm, jeta e tij thuhej se është në rrezik, të paktën këtë pohonin zyrtarë të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Masa ekstreme sigurie për të. Gardianë e zyrtarë të burgut të Tiranës morën në duar të dhënat e transferimit, po vinte Kastriot Ismailaj, personi i akuzuar për pastrim parash dhe mashtrim.
Njeriu i qetë në pamje, po që trazoi aq shumë politikën në vend. Është 52-vjeçari, pas të cilit dyshohet se fshihet një pjesë e skandalit të madh CEZ-DIA, i cili mbante lidhje të forta me politikën, apo edhe me njohje të shumta jashtë vendit.
Gardianët dhe personeli civil morën udhëzime të qarta se ai duhet të ruhej nën masa mjaft të forta sigurie.
Kjo justifikohej me ndonjë “të keqe” që mund t’i bëhej, pasi është personi kyç në skandalin e aferave korruptive për mbledhjen e faturave të papaguara ndaj CEZ-Shpërndarjes.
Masat për të janë gati në kushtet e një terrori, ku vetëm paraburgim nuk mund të quhet për Ismailajn, pasi është kthyer si një i paraburgosur i “Alkatrazit” shqiptar.
Në ditët e para të qëndrimit në dhomat e paraburgimit në Burgun 302, mësohet se Ismailaj ishte në tension të madh.
“Ai ruhej vetë, madje ishte i fiksuar në shumë gjëra që dyshonte se mund t’i bëhej ndonjë rreng”, thotë një pjesëtar i personelit të burgut.
E sikur të mos mjaftojë vetëm kjo, edhe efektivët e policisë e rrethojnë e mbajnë nën vëzhgim sa herë lëviz, apo kalon në ambientin e ajrimit.
Nga burime konfidenciale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, mësohet se Ismailajt i është siguruar një qeli më vete, pasi nuk duan që të ketë kontakt me asnjë person, përveç punonjësve të burgut.
Gjendet në të njëjtin kat dhe sektor, ku veç të paraburgosurve të tjerë janë edhe Mark Frroku dhe Ermal Hoxha.
“Në ditët e para ishte shumë në tension, nuk kishte besim tek askush dhe shpesh ankohej”, tregojnë zyrtarë të burgut. Pavarësisht se bashkëshortja ishte lejuar të fuste ushqime, ai dyshonte se nuk ishin të përgatitura nga duart e saj.
Ndërsa tashmë ka nisur të ambientohet me jetën “kryeqytetase”, pas transferimit nga burgu i Fierit.
Masat e sigurisë, tejet ekstreme, justifikohen me mbrojtjen fizike të tij, por në të vërtetë Ismailaj ka nisur të dyshojë se ky është një terror që po i bëhet për ta veçuar dhe që mos ketë asnjë kontakt me të dënuar të tjerë, sepse “mund t’i shpëtojë ndonjë fjalë”.
Në kohën kur të gjithë të paraburgosurit shkojnë në ajrim dhe ato pak çaste ikin nga qelitë e ngushta dhe fort të mbipopulluara, Kastriot Ismailaj rri i mbyllur në dhomëzën e tij.
“Është masë sigurie, pasi kemi urdhër që të mos ketë asnjë kontakt fizik dhe verbal me të paraburgosurit e tjerë, gjithsesi në ajrim e dërgon grupi i gatshëm dhe nuk i mohohet kjo e drejtë”, – thonë burimet.
Por të drejta të tjera është vendosur që të mos i takojnë, duke bërë që Ismailaj ta vetëkuptojë se nuk është e lehtë të përballesh me shtetin dhe persona të fuqishëm.
Çdo i paraburgosur ka të drejtë të bëjë dy telefonata në javë, ndërsa Ismailajt kjo nuk i lejohet. Pikërisht këto masa të forta kanë bërë që para gjykatës të pretendojë se nuk e kanë lejuar që të takojë bashkëshorten.
Sa për ushqim, ai i vjen shpesh nga shtëpia, por gjithsesi burime konfidenciale shprehen se “vezët e ziera, ndonjëherë i merr nga burgu”.
Tjetër gjë nuk shkon lirshëm në qelinë e tij. Është nga ato pak raste të dënuarish ku ruhet maksimalisht, jo për shkak të rrezikshmërisë së tij, as se ka “grupe rivale” në të njëjtin burg, por ashtu ka ardhur urdhri.
Interpretimet janë të ndryshme, ku një pjesë e argumentojnë se këto janë masa të domosdoshme, duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj dosjeje hetimore dhe protagonizmin e Ismailajt në aferën e dyshuar të CEZ.
Ndërsa nga ana tjetër ka dyshime se këto masa ekstreme të kontrollit të vazhdueshëm dhe ruajtjes me shumë gardianë, janë formë presioni që ai të mos flasë, pasi mund të dijë shumë dhe nëse nis të rrëfehet, mjaft individë të rëndësishëm edhe në politikë, mund të implikohen.
Këtë e ka parasysh më shumë se kushdo vetë Kastriot Ismailaj, i cili nganjëherë tenton të bëjë ndonjë shaka me gardianët e shumtë që e ruajnë, dhe sërish kthehet në strehëzën e tij, në atë qeli të vogël, të monitoruar 24 orë.
Ai e ndjen veten se aty në burgun 302 nuk është nga ata që quhen “tipa të fortë”, por sërish ia di rëndësinë vetes dhe çështjes.
Heshtja mund të jetë flori, në këtë rast ia përforcojnë më shumë edhe masat ekstreme të sigurisë, ku nuk i lejohet asnjë komunikim edhe nëse dëshiron.
Për të zbardhur çështjen që ka të bëjë me skandalin e CEZ-it, opozita kërkoi hetim ndërkombëtar, por u rrëzua nga ana e mazhorancës me shumicë votash, duke i vënë “kapakun” mundësisë së ekspertëve të huaj në këtë dosje dhe ia besuar përfundimisht Prokurorisë shqiptare.
Ndërsa aty në burgun 302 në Tiranë, 52-vjeçari Kastriot Ismailaj ngrys e gdhin ditët në masa mjaft të forta sigurie dhe po kthehet ndër të paraburgosurit VIP, pasi pretendon një shumë prej 130 milionë eurosh.