“Kushdo që luan do të jetë në maksimum, pasi edhe Izraeli e di që është një ndeshje vendimtare, të dy palët do të duam të fitojmë. Pastaj të shohim kush është vendosur më mirë në fushë, kush ka mentalitetin e duhur dhe kush ka dëshirën për të bërë rezultatin”. Edoardo Reja nuk fshihet pas asnjë alibie, para të parës nga dy ndeshjet vendimtare. Tekniku italian ka lëshuar sfidën në konferencën për shtyp përpara ndeshjes në Tel Aviv: “E dimë se pikët janë këto, ata kanë 5 pikë, ne kemi 1. Nuk na mbetet gjë tjetër veç fitores nëse duam të shpresojmë për vendin e parë, se nuk ka alternativa. Atyre mund t’u mjaftojë edhe një pikë, ne do të mundohemi të bëjmë ndeshjen tonë. Se kush zbret në fushë do të bëjë maksimumin, pastaj çdo ndeshje ka episode, ne do të mundohemi që episodet të na japin të drejtë”.

Një apel për lojtarët. Ata që do të zbresin në fushë në Tel Aviv e ata që janë në dispozicion. Në këto lloj ndeshjesh, besimin duhet ta kenë të gjithë. Jo vetëm trajneri: “Kemi nevojë për një paraqitje të madhe, do të luajmë ndaj një presioni të lartë, pasi këtu do të ketë shumë njerëz. Edhe lojtarët kanë ritëm të lartë dhe nga kjo pikëpamje duhet të jemi të përgatitur, nuk duhet t’u japim hapësira. Pastaj do të bëjmë lojën tone”.

MODULI

Reja është ndalur në fund edhe tek ndryshimi i modulit, një lëvizje e paprecedentë për të. Italiani ka luajtur gjithnjë me 3-5-2, por tani mungesat e detyrojnë: “Pikët e dobëta janë, shpresojmë që t’i ketë Izraeli. Ne e dimë si luajnë, si t’i përballojmë dhe jemi përgatitur teorikisht. Pastaj në fushë duhet parë çfarë ndodh. Nuk është e thënë që e nis në një mënyrë, pasi gjatë ndeshjes ndryshon. Varet shumë nga rezultati, si shkon rezultati në fushë”.