Këtë të premte SHBA dhe BE nënshkruan një marrëveshje për gazin, në një përpjekje për të hequr dorë nga furnizimet ruse të energjisë. Një dokument i agjensisë lajmeve Reuters zbulon se SHBA-të do të punojnë për të siguruar që ajo të furnizojë 15 miliardë metra kub (bcm) gaz natyror të lëngshëm (LNG) në tregjet e Bashkimit Europian këtë vit.

 

 

Presidenti i SHBA Joe Biden dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen do të shpallin sot formimin e një task force për të reduktuar varësinë e Evropës nga karburantet fosile ruse pas pushtimit rus të Ukrainës. Vitin e kaluar, BE importoi 155 miliardë metra kub gaz rus. E thënë ndryshe kjo përfaqësonte rreth 40% të importeve të saj të gazit. Gjermania, shteti që importon 55% të gazit të saj nga Rusia, tashmë ka pezulluar hapjen e një gazsjellësi të ri rus të quajtur Nord Stream 2.