Grupi i deputetëve që ende ndjekin Enkelejd Alibeaj ka reaguar në lidhje me mandatin e dytë të Simon Mirakaj si anëtar i Autoritetit për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Në një sqarim për mediet grupi tha se ata nuk kanë kundërshtuar kandidatin, por thjesht i dolën kundër faktit që emri i tij ishte i propozuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.

“Asnjë nga deputetët e PD në Komisionin e Ligjeve nuk ka kundërshtuar kandidatin Simon Miraka, por kanë kundërshruar faktin që ai ishte propozim i Sali Berishës dhe ishte i vetmi që çuditërisht u përzgjodh me votat e Edi Ramës. Në këtë rast është vënë në dukje standarti i dyfishtë i Partisë Socialiste. Revolta jonë ishte shprehje e faktit se me vota të deputetëve të PS u refuzuan pa asnjë shkak përfaqësues të denjë të të përndjekurve politik Marçel Hila, Skënder Vrioni, Gjergj Marku dhe Besim Ndregjoni, të cilët ishin propozuar nga shoqatat e të përndjekurve politik dhe që u votuan nga deputetët e PD në Komisionin e Ligjeve”, thuhet në deklaratë.