Qeveria ka paguar për kontratat koncesionare në vitin 2021 rreth 2.5 milionë euro detyrime të prapambetura të viteve paraardhëse. Duke ju referuar të paktën tre kontratave që kanë shfaqur këtë problematike Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nënvizuar edhe një herë edhe një herë rrezikun që ka rritja e vazhdueshme e kontratave të kësaj natyre për vitet pasardhëse.

“Nga auditimi në MFE për kontratat koncesionare/PPP-të konstatohet se:

a) pagesat e kryera për vitet e kaluara përbëjnë risk të shtuar për krijimin e detyrimeve të prapambetura të reja për vitet pasardhëse;

b) gjatë vitit 2021 janë shlyer detyrime të viteve të mëparshme në vlerën prej 292,593 mijë lekë. Ato përbëjnë 2.5% të shpenzimeve gjithsej për kontratat koncesionare/PPP-të të vitit 2021”.

Duke u ndalur në mënyrë më të detajuar raporti rendit se kontrata e parë me detyrime të mbartura është “Ndërtimi dhe Operimi i Rrugës së Arbrit” për oponencën teknike 25 milionë lekë detyrim i vitit 2018.

E dyta është kontrata e inceneratorit të Tiranës. Detyrimet e muajve tetor-dhjetor 2020 kapin vlerën prej 139 milionë lekë. Koncesioni i skanimit në dogana është i treti me detyrime të muajit dhjetor 2020 në vlerën prej 128,5 milionë lekë.

“Projekti i inceneratorit të Tiranës dhe koncesioni i skanimit në dogana përfshijnë kryerjen e pagesave në bazë të nivelit të shërbimit të ofruar. Realizimi i shërbimit përtej vlerës së buxhetuar ka shkaktuar krijimin e detyrimeve të prapambetura për vitin aktual dhe në të njëjtën kohë mbartjen e tyre në vitin pasardhës” thuhet në raport.

Por teksa për konceisonet me mbështetje buxhetore problematikat lidhen me pagesat e vonuara apo ato të kryera edhe kur shërbimet nuk janë dhënë. Duket se KLSH ka hasur mosfunksionim siç duhet edhe të pjesës së kontratave konceisonare pa mbështetje buxhetore.

Duke iu referuar projekteve të tilla si porte, transferime hekurudhash apo ndërtime hidrocentralesh, audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë hasur në mungesë të monitorimeve periodike për ecurinë e këtyre kontratave koncesionare, mosrespektim të hallkave ligjore për kryerjen e punimeve apo mungesë në dosje të projekteve teknike e studimeve të fizibilitetit.

Për vitin 2022 për koncesionet është planifikuar një mbështetje buxhetore prej 13 miliardë lekësh ndërkohë që në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm janë 13.5 miliardë lekë./Monitor