Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në ditën e dytë të samitit të “Open Balkan” i cili po zhvillohet në Beograd u shpreh se është e rëndësishme që kësaj nisme t’i bashkohen të gjitha vendet e rajonit, dhe jo vetëm.

“Jam i kënaqur që këtu sot me ne janë edhe 2 miq shumë të rëndësishëm për ne që përfaqësojnë dy vende po kaq të rëndësishme për rajonin tonë. Ministri i Jashtëm i Turqisë, të cilin dua ta falenderoj për praninë e tij. Turqia është një partner i pazëvendësueshëm strategjik i Shqipërisë por edhe një aleat i gjithë proceseve pozitive në vendin tonë. Po ashtu edhe ministri i Jashtëm i Hungarisë, të cilin gjithashtu dua ta falenderoj. Për ne është shumë e rëndësishme që kësaj nisme t’i bashkohen të gjitha vendet e rajonit tonë dhe t’i bashkangjiten edhe vende kaq të rëndësishme sa Turqia, Italia, Greqi si dhe Hungaria”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se Ballkani është për Evropën po kaq i rëndësishëm saç është Evropa për Ballkanin. Ai falenderoi Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe theksoi se ky i fundit ka dhënë sinjal për paqen.

“Dua ta falenderoj presidentin Vuçiç dhe ekipin e tij sepse panairi nuk kishte asgjë më pak se panairet e së njëjtës fushë me famë botërore. Në këtë panair ishin bashkë dhe shumë prodhues të mirënjohur të verërave. Dje mund të kishte qenë një ditë tjetër, ku mediet tona dhe të Evropës të ishin të mbushura me lajme për atë që ndodh në kufirin mes Serbisë dhe Kosovës. Dita e djeshme tregoi se cila është rruga dhe cila është zgjedhja e Ballkanit të Hapur. Sot dua ta them me krenari që edhe zgjidhja e lëvizjes me karta identiteti është një zgjidhje e Ballkanit të Hapur. Dua t’i shpreh respektin tim presidentit të Serbisë që ka dhënë një sinjal shumë të qartë për të gjithë, që zgjedhja e parë është paqja”, tha Rama.

Në samitin e ditës së sotme pritet të finalizohet marrëveshja për tregtinë pa kufizime të ushqimeve mes vendeve të kësaj nisme. Sakaq në orën 13:00 pritet konferenca për shtyp e liderëve të Ballkanit të Hapur.