Për herë të parë kryeministri Rama ka pranuar humbjen e gjyqit me Francesco Becchetti-n për mbylljen e Agon Channel për të cilin shqiptarët do të paguajnë 110 milion euro. Por kryeministri ka thënë se ka fituar 3 gjyqe të tjera dhe se Becchetti do të marrë, siç u shpreh Rama “atë që nuk thuhet, që mbetet pasi hahet”.

Rama bashkoi në përgjigjen e tij për humbjen e gjyqit edhe Sali Berishën dhe Ilir Metën, pasi siç tha ai patën një gëzim të neveritshëm. “Dy njerëzit më të gëzuar për për një gjyq që ne e humbëm, por pasi kemi fituar tre të tjerë me një marifetçi të paskrupullt që ju këtu e njihni mirë, ishin po këta, Ilir Meta dhe Sali Berisha, një gëzim i neveritshëm. Dhe në ndërkohë një përpjekje po kaq e neveritshme për të nxitur ata të cilët janë ndjekësit e tyre me sytë dhe me veshët top, por me mendjen tapë nga dokrrate tyre duke arritur të shpërndajnë edhe trakte natën në Tiranë se tani shqiptarët do paguajnë një gjobë 11 milion. Unë nuk mund tju them si e qysh, por ai marifetciu bashkë me Ilirin dhe Saliun do marrin atë që nuk thuhet, atë që nuk hahet, që mbetet por nuk hahet, sepse lufta kundër atij marifetçiut vazhdon dhe ai është në kërkim nga drejtësia shqiptare” tha Rama gjatë takimit me socialistët në Tepelenë.

Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve ka rrëzuar ankimin e qeverisë shqiptare duke dënuar vendin tonë me 110 milionë euro. Kjo shumë do ti jepet biznesmenit italiane, Francesco Becchetti, si dëmshpërblim për mbylljen e padrejtë të televizionit në pronësi të tij në vitin 2015. Autoriteti në të cilin u paraqit ankimi i qeverisë shqiptare e ka vlerësuar të padrejtë pretendimin për të rrëzuar vendimin e gjykatës së Strasburgut duke e lënë atë përfundimisht në fuqi.
Përpjekja e qeverisë shqiptare për të anuluar dënimin me 110 milionë euro gjobë në procesin e hapur nga biznesmeni italian, Francesco Becchetti,ka dështuar. Zëri i Amerikës njoftoi se Shqipëria humbi përfundimisht gjyqin me sipërmarrësin italian lidhur me dëmshpërblimin e kërkuar nga ai për mbylljen e televizionit “Agon” në vitin 2015.
Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) një gjykatë arbitrazhi, pjesë e Bankës Botërore, e dënoi Shqipërinë në Prill të vitit 2019 me 110 milion euro, duke gjykuar se mbyllja e televizionit ishte “motivuar politikisht”.
Ky dënim përfaqëson vlerën më të lartë me të cilën Shqipëria është dënuar nga një gjykatë arbitrazhi.
Autoritetet shqiptare reaguan duke kërkuar anulimin e vendimit të marrë, ndërsa vetë kryeministri Edi Rama, shpjegoi se Shqipëria nuk ishte dënuar dhe se vendimi nuk ishte përfundimtar.
Në gusht të vitit 2019 Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve pranoi ankimimin duke urdhëruar pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit të vendimit të saj.
Ky apelim është një formë e jashtëzakonshme rekursi e parashikuar në mbrojte të parimeve themelore juridike që lidhen më një proces.
Kërkesa e palës shqiptare, u bazua te pretendimi per shkelje të procedurave gjatë procesit të arbitrazhit, por Komisioni Ad-Hoc i ngritur për shqyrtimin e rastit, nuk e ka gjetur të drejtë pretendimin e palës shqiptare, e cila do të duhet tanimë të paguajë dëmshpërblimin prej 110 milion eurosh.
Për t’u përfaqësuar në procesin e ankimimit, Avokatura e Shtetit shqiptar kishte përzgjedhur studion amerikane, Foley Hoag, me një eksperiencë në trajtimin e rasteve të ngjashme.
Ndërsa në anën tjetër sipërmarrësi italian Becchetti, përfaqësohej nga dy studio të mëdha ligjore, Debevoise & Plimpton, me seli në Neë York, dhe Quinn Emanuel Urquhart & Sullivan, me seli në Paris dhe Neë York.