Kryeministri Edi Rama reagoi në Instagram për situatën e krijuar në Kakavijë. Sipas tij të njëjtat procedura nuk ndiqen vetëm për shqiptarët, por edhe për çdo shtetas që hyn në pikat e tjera kufitare të Greqisë, qoftë edhe për vetë grekët.

Ndër të tjera kryeministri thotë se Forcat e Armatosura janë vënë në shërbim të qytetarëve që prej ditësh janë bllokuar në kufi, duke krijuar edhe një radhë prej 25 kilometrash vetëm e vetëm për kalimin në kufi. Kjo pasi duke filluar nga nesër çdokush që dëshiron të shkojë në Greqi do të duhet të bëjë një karantinë prej 7 ditësh.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me palën greke për lehtësimin e procedurave, të cilat janë procedura të njëjta në çdo pikë hyrëse të Greqisë, për qytetarët e çdo vendi, përfshirë edhe qytetarët grek që hyjnë në një kufi! Në ndërkohë Forcat e Armatosura dhe strukturat bashkiake të Gjirokastrës, Këlcyrës, Dropullit, Tepelenës e Përmetit, e kanë gdhirë me qytetarët që qëndrojnë në radhë në Kakavijë duke ofruar ndihmë shëndetësore, ndihma ushqimore, ujë të pijshëm dhe asistencë për higjenen sanitare në terren,”-shprehet Rama.