Kryeministri Edi Rama prezantoi programin e Partisë Socialiste për arsimin. Kryeministri tha se  në fokus të programit janë përmirësimi i infrastrukturës shkollore dhe rritja e pagës së mësuesve me 40%, brenda mandatit të ardhshëm. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se tashmë nuk është koha kur mësuesit mbushnin sheshet e kryeministrit të kohës.

“Plot 11 mijë e 78 mësues dhe mësuese janë pjesë e sistemit tonë arsimorë, falë konkurrimit në portalin “Mësues për Shqipërinë” dhe klasifikimin në këtë portal ndër vite. Nuk ishte para 70 vitesh, por para 7 vitesh, koha e zymtë kur takset shkollore jo vetëm i kushtonin shumë familjeve shqiptare, por gëlonin autorët grraba zhgraba. Favorizonte simpatizimi partiak KÇK, në bërjen e teksteve të shkollës. Në ato tekste të dukej sikur sulmoheshe nga mushkonja, që pickonin dhe nuk linin fillin e mendimit për të marrë radhë. Librat janë falas sot dhe librat e tyre janë prej shtëpive prestigjioze, shtëpi që furnizojnë me libra fëmijët e Evropës”, tha Rama.

Më tej, ai sulmoi tre nga kandidatët e PD për deputetë: Mark Marku, Agron Gjekmarkaj dhe Albana Vokshi, për të cilët tha se janë 3 ministrat e Arsimit të KÇK.

“Të tre sharxhinj, që sharrë, dhe shajxhinj që shaj e shaj, kujexhi, që vë kujën për çdo gjë. Kundër çlirimit të shkollave, kundër, kundër. Imagjinojeni njërin nga të 3 në krye të arsimit dhe merreni me mënd pastaj  fëmijën tuaj mësuesnin e fëmijës tuaj shkollën e fëmijëve tuaj në duart e këtyre të 3-ve”, tha Rama.