Kryeministri Edi Rama tha në konferencën me gazetarët në të gjithë Europën ekziston një lloj tensioni në bisedimet për sigurimin e vaksinës anti-COVID. Ai tha se është vaksinuar për të dhënë shembullin e besueshmërisë, por shtoi se mendon se politikanët në Shqipëri duhet të vaksinohen të fundit.

“Unë jam vaksinuar sepse kam bërë atë që kanë bërë të gjithë kolegët e mi në Europë dhe botë. Nuk është për të siguruar veten. Unë mendoj që politikanët në Shqipëri duhet të vaksinohen të fundit fare. Kaq e thjeshtë është”, u shpreh kryeministri.

Sipas tij nuk ka asnjë skemë për vaksinimin e politikanëve. Madje sipas tij nuk ka edhe në vende të tjera në Europë diçka të tillë, por nëse publikohet ndonjë skemë, qeveria do ta mendojë.