Ishin parashikuar të hidheshin në hapësirë në fund të Marsit, por deri më tani satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2”, nuk kanë fluturuar. Kryeministri Edi Rama ka shkruar në Twitter se vonesat që kanë ndodhur nuk janë në dorën e tij, duke shtuar se zotimit nuk do t’i ndahet, derisa ky plan të bëhet realitet.

“Padurim të madh paskan pasur disa për satelitët e sipas modës së re thonë ç’të duan pa pyetur fare more si është puna!Po një gjë cuditem si nuk duan ta kuptojnë:Unë them atë që bën e bëj atë që them dhe kur vonesat s’janë në dorën time thjesht bëj durim,po zotimit s’i ndahem jo!”, shkruan Rama në Twitter.

Nga ana tjetër, në dokumentin e mëposhtëm, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Arlind Gjokutaj, kërkon ndryshime në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes për përballimin e shpenzimeve për shërbimin satelitor dhe jo blerjen e ‘Albania1’ dhe ‘Albania2’, të cilët do të dërgoheshin në hapësirë.

E thënë ndryshe, Shqipëria do të paguajë një agjenci ndërkombëtare për servirjen e shërbimeve që do të mundësonin sy satelitët e premtuar nga Rama.

Blerja e këtij shërbimi sipas këtij dokumenti është propozuar në vlerën 200 milionë lekë të reja në vit (rreth 2 milionë euro).

Sipas shkresës ky shërbim do të ketë përdorim të gjerë për disa institucione të vendit dhe sipas propozimit të grupit të punës, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të kryejë procedurat e prokurimit për sigurimin e këtij shërbimi.

Më poshtë, video ku Rama i përfshirë nga entuziazmi i një Shqipërie futuristike, komunikon me një pjestar të stafit të kompanisë “SpaceX”, një prej kompanive të njeriut më të pasur të planetit, Elon Musk.

Kriza energjitike dhe të tjerat në radhë, duket se kanë zgjuar kryeministrin prej ëndrrave të bukura dhe e kanë shtyrë të bëjë një hap pas.