Kryeministri, Edi Rama, këtë të mërkurë ka prezantuar programin “Drejtësia që duam”. Gjatë fjalës së tij Rama i konsideroi zgjedhjet e 25 prillit si zgjedhjet të cilat lidhen me fatin e drejtësisë në Shqipëri.

Rama, po ashtu, ka deklaruar ditën e sotme se PD dhe LSI dhe presidenti Ilir Meta pengojnë  reformën në drejtësi. Më tej kreu i qeverisë tha se PD, LSI, dhe KÇK sot janë 3 këmbët e së keqes së vettingut, të dy kokave presidentësh, që sipas tij nuk e duan reformën në drejtësi.

“Kush e ka menduar se vota për vettingun do të çonin njerëz në burg, ai është hallka e parë, fshesa e pastrimit të drejtësisë nga llumi i kalcifikuar 30 vite me radhë. Pastrimi i pallatit të drejtësisë nga ata që u pasuruan, duke e kthyer drejtësinë në biznes dhe të drejtën e çdo njeriu që shitet e blihet sot e gjithë ditën. Presidenti i republikës dhe ish-presidenti i kësaj republike, mbështeten nga kasta e korruptuar, deri kur t’ju vijë dita e fshesës së vettingut. PD, LSI, dhe KÇK sot janë 3 këmbët e së keqes së vettingut. Për inat të qeverisë, apo për inatin tim, ju nuk votoni fare, atëherë do të bëni një prej atyre gabimeve fatale në jetën e një vendi që i bën një gjeneratë dhe i paguan gjenerata tjetër. Unë nuk dua t’ju them se ju nuk keni asnjë arsye se pse të jeni të inatosur me mua apo me qeverinë, por përkundrazi mund të keni.”, tha Rama.