Kryeministri Edi Rama ka folur pas takimit me presidentin e Këshillit Europian, që u mbajt në Tiranë. Gjatë konferencës për mediat, kryeministri Rama u shpreh se kanë biseduar për luftën në Ukrainë, për procesin e integrimit të Shqipërisë drejt BE-së. Po ashtu, në fund të fjalës së tij, Rama tha se vendi ynë po ndjek të njëtat hapa me vendet që janë integruar në BE.

“Jemi në një nivel krejt tjetër të bashkëjetesës në suazën politike europiane, për ta afruar më shumë Ballkanin Perëndimor drejt BE-së. Nuk besoj se shqiptarëve, do tiu duket e tepërt, përsëritja e shprehjes së mirënjohjes për mbështetjen që BE i ka dhënë vendit në momente të vështira. Janë momente që kanë shënuar pika shumë të rëndësishme në marrëdhëniet mes BE-së dhe Shqipërisë. Folëm për situatën dhe sfidat, folëm në detaje për procesin, ku Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në axhendë, për çeljen formale të bisedimeve për anëtarësim, folëm për Ballkanin e Hapur dhe të gjitha sfidat e brendshme të rajonit, dhe për reformat. Kryesorja ajo në drejtësi, që po jep frytet e saj, ku dje u godit një rrjet kriminal. Duke i dhënë goditjen më të thellë të krimit të organizuar, që tregojnë qartë që jo vetëm në rrugën e duhur, por kemi hedhur hapa domethënës, edhe në krahasim me vendet që tashmë i kanë çelur negociatat”, tha Rama.