Kryeministri Edi Rama akuzoi edhe një herë opozitën për lidhje me Rusinë. Pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, Rama paralajmëroi edhe një herë për një dimër të vështirë, të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

“Kemi një opozitë që premton vetëm izolim nga bota dhe nga ana tjetër, është e zhytur në thesin e rublave. Është praktikisht fatkeqësi edhe veprimtaria, edhe mënyra sesi vepron, mbajnë erë. Dhe ajo çka dimë, nuk është e gjitha ajo që duhet ditur”, tha Rama.

Ai e quajti luftën në Ukrainë kërcënimin më të madh të kësaj epoke.

“Një agresion në dyert e Europës, që ka sjellë si pasojë përveç bombave dhe krimeve të panumërta në Ukrainë edhe rritjen e çmimeve të energjisë, të produkteve bazë në të gjithë botën, por patjetër në Europë dhe sigurisht edhe në Shqipëri. Është një inflacion lufte, kostoja që i paguajmë aventurës së një diktatori si Vladimir Putini, por nga ana tjetër, edhe pse nuk është qeveria që ka sjellë inflacionin, i takon asaj të bëjë gjithçka për të lehtësuar peshën e kësaj lufte mbi kurrizin e ekonomisë” , tha Rama.