Sipas Edi Ramës, është përgjegjësi personale e çdo kandidati nëse rezulton i dënuar apo me të shkuar kriminale.

Ai u pyet nga gazetarët pas një mbledhje në seli me drejtuesit e PS në qarqe për apelin e ambasadores amerikane Yuri Kim dhe theksoi se nga ana e PS do zbatohet ligji dhe se kush gënjen në vetëdeklarim ka përgjegjësi individuale.

Sa i përket listës së kandidatëve për deputetë për 25 prillin, Rama tha se është në proces dhe sigurisht lista përfundimtare do të jetë ajo që do të deklarohet kur të çohet në KQZ.

“Ne kemi ligjin, zbatojmë ligjin. Përgjegjësia e kujtdo që gënjen në vetëdeklarim është përgjegjësi individuale jo partie. Partitë nuk janë drejtori policie, verifikojnë në bazë të ligjit dhe sipas ligjit i kemi bërë verifikimet gjithmonë. Skemi ndërmend të ngremë salla torturash në selitë e partive nëse dikush fsheh diçka. Ne shohim dokumentacionin në dispozicion”, theksoi kryeministri Rama.