Në kohën kur vendi prej disa ditësh po regjistron shifra të larta të të infektuarve me COVID-19, duket se Policia e Shtetit ka intensifikuar kontrollet. Kryeministri i vendit ka paralajmëruar se policia do të shtonte monitorimet në rrugë. Gjatë mbrëmjes së djeshme, në Tiranë janë ndëshkuar me pezullim të lejes së drejtimit 61 drejtues mjetesh, të cilët u konstatuan duke lëvizur me mjet pas orës 22:00. Po në kuadër të monitorimit të masave antiCOVID, gjatë ditëve të fundit, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me gjobë 3.000 lekë, për mos vendosjen e maskës, 2606 qytetarë.

Sakaq, 13 administratorë dhe pronarë lokalesh që ushtronin aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë janë gjobitur me 1.000.000 lekë ndërsa për 2 administratorë lokalesh iu është pezulluar aktiviteti për 6 muaj, pasi janë konstatuar në shkelje të përsëritur. Policia e Shtetit gjithashtu bën me dije se 41 drejtues mjetesh janë ndëshkuar me pezullim të lejes së drejtimit për tre vjet ndërsa 52 shtetas janë gjobitur me nga 10.000 lekë, pasi janë konstatuar duke lëvizur pas orës 22:00.