Kryeministri Edi Rama, këtë të hënë ka prezantuar një kandidat për deputetë të PS-së që vjen nga radhët e emigrantëve, deklaroi se për këtë kategori do të bëhet më shumë. Kreu i qeverisë theksoi se vota e emigrantëve nuk u arrit për shkak të palës tjetër, opozitës, pasi sipas tij ata kanë frikë nga vota e tyre.

“Shqipëria e ardhmja, emigracioni e shkuara”. Gjatë fjalës së tij, Rama është ndalur tek emigracioni duke thënë se lëvizjet kanë qenë të vazhdueshme në këto tre dekada, ndërsa thekson se këtë fakt nuk mund ta ndryshojë asnjë qeveri.

“Këto tre dekada kanë konciduar edhe me dallgët e stuhishme të një emigracioni gjigant”, u shpreh ai.

Gjithashtu ai theksoi nëse reformat e nisura nga qeveria e tij do të ishin ndërmarrë 27 vite më parë, Shqipëria sipas tij nuk do të ishte në gjendjen aktuale, por do të ishte në një situatë më të mirë.

“Pa emigracionin masiv, Shqipëria do të ishte një i vdekur klinik, shtrirë përtokë në mes të Evropës. Imagjinojeni vetë se sa shumë kohë humbëm duke vjedhur dritat, duke shpërdoruar ujin, duke rrumpallizuar arsimin, lënë pas dore shëndetësinë, rivalizuar administratën e kështu me radhë. Humbëm shanse të mëdha për një gjeneratë që lindi në vitet 1990 dhe u rritën në një rrëmujë. Sikur reformat që ne nisëm 7 vite më parëm, të ishin nisur 27 vite më parë, patjetër që Shqipëria do të ishte më e pasur e më e zhvilluar” tha Rama.