Edi Rama nuk ka asnjë koment për shpalljen non-grata të Sali Berishës në SHBA, edhe kur pyetet specifikisht për këtë ngjarje.

Edhe pse nuk kishte reaguar vetë që prej javës së kaluar, kur vendimi u shpall nga Sekretari amerikan i Shtetit, Edi Rama nuk ishte pyetur drejtpërdrejt për ngjarjen.

Sot, një gazetare e pyeti: “A keni një koment për vendimin e DASH për zotin Berisha?” 

Rama nuk kishte si ti shmangej më qartazi pyetjes.

“Jam 100% i fokusuar te punët, se kemi ndalur punën asnjë ditë gjatë fushatës dhe pas fushatës, sepse ska kohë për pushim. Jam shumë i vendosur që të çelim një rrugë të re në aspektin e komunikimit publik, dhe do të shmangim ato aspekte që e kanë kthyer jetën publike në një telenovelë. Për mua ka më shumë rëndësi sa vaksina kryhen, sa përparojnë kantieret e rindërtimit. Ne do të dalim përpara shqiptarëve me programin e angazhimeve konkrete, të tjerat janë…”, u shpreh Rama.

Nuk dihet pse kryeministri zgjedh të heshtë plotësisht për sulmin e paprecedentë të amerikanëve ndaj armikut të tij më të ashpër politik. Kundërshtarët e Ramës duan të besojnë se ai i ruhet një reagimi në këtë moment, pasi e di se një ditë do gozhdohet vetë nga amerikanët. Ithtarët e tij janë të bindur se shefi socialist është personi që tërheq fije aq të forta sa është në gjendje të shkatërrojë çdo kundërshtar politik, edhe duke përdorur superfuqinë e botës si mjet për të arritur qëllimin e tij.

Ndërsa të dyja qasjet shkojnë në kufinj ekstremisht të kundërt, nisur nga vitet e Ramës në udhëheqje, një gjë duhet pasur parasysh. Kryeministri i tre mandateve di të mbajë gjithmonë një “As” nën mëngë.