Pavarësisht përplasjeve të hapura politike për Ballkanin e Hapur, kryeministri Edi Rama thotë se ka një marrëdhënie të mirë me homologun kosovar, Albin Kurti. Sipas tij, nisma rajonale është në interes të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Mes meje dhe Albinit jo. Ne takohmi krejt normalisht. Dje u takuam në Slloveni. Kemi një mosdakordësi konceptuale përsa i përket qasjes së politikës rajonale. Për mua, Ballkani i Hapur është interes strategjik i kombit shqiptar. Përveç saj, është interes strategjik i Kosovës” – tha Rama.

Pavarësisht kritikave të shumta nga Kosova, kryeministri Rama thotë se Ballkani i Hapur është një nismë që do të realizohet. Sipas tij, koha do të tregojë se zbatimi i kësaj nisme nuk do të sjellë asnjë ndikim negativ për Kosovën dhe Shqipërinë.

“E para, çfarë është Ballkani i Hapur. Është zbatimi i katër lirive të Bashkimit Europian. Liria e lëvizjes së njerëzve, kapitaleve, mallrave dhe shërbimeve. Pra nga ajo që ju thatë, i bie që duhet ta njohi Serbia-Kosovën që radha kilometrike në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë të eliminohet. Ballkani i Hapur e heq kufirin andej.

E pengon një gjë shumë e thjeshtë. Sapo e deklaron, ke Washingtonin dhe Brukselin, që të telefonon dhe thotë ‘Çfarë është kjo Shqipëria e Madhe’. Është realizuar pikërisht nga diplomacia jonë me Beogradin. Presidenti i Serbisë ka pranuar lëvizjen e lirë të njerëzve. Procesi i Berlinit është ky por shumë më i avashtë.

Është një proces që varet nga burokracia europiane. Ne nuk kemi nevojë të na mbledhin dhe të na thonë. Ne duhet të ecim shumë shpejt. Ballkani do mbështetet nga të gjithë sepse është rruga jonë për t’u bërë më të fortë. Kur ne pamë që procesi i Berlinit të zvarritej, ne vendosëm Ballkanin e Hapur. Kemi çuar një propozim në tryezë në Francë kur u bë Parisi dhe aty kemi ngecur sepse Vuçiçi nuk pranonte lëvizjen e njerëzve.

Thoshte që shërbimet, kapitalet dhe shërbimet, po, ndërsa njerëzit jo. Gjëja që nuk kuptoj, nuk kam dëshirë të bëj polemika. Dikur bëhej luftë për t’u ulur në tavolinë. Bëhej luftë që drejtorët e ministrive kosovare të uleshin në një tryezë me ata serb dhe këta të fundit të mos çoheshin. Sot serbët janë në tavolinë dhe ikin kosovarët. Unë mendoj që koha do e tregoj, Ballkani i Hapur do realizohet. Nëse më thonë që një vendim që po të merret në kuadër të Ballkanit të Hapur dëmton interesa kombëtare të Kosovës, ne… Unë e respektoj të drejtën e qeverisë së Kosovës për filozofinë e tyre, nuk jam dakord. Ne kemi vullnetin ta trajtojmë këtë” – tha Rama.