Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, që shënon nisjen e procedurës së maxhorancës për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës, kryesocialisti Edi Rama u ndal edhe tek Këshilli Kombëtar. Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se ka pasur shumë kërkesa nga qytetarët në lidhje me Këshillimin, edhe nga ata të cilët kanë qenë skeptik. Sipas Ramës, ministrat po punojnë për draftet për nismat që u votuan. Mes të tjerash kryeqeveritari ka thënë se do ketë një takim me të gjithë ministrat, lidhur me iniciativat e nevojshme të dala nga Këshilli Kombëtar. Po ashtu Rama paralajmëroi edhe një tur në të gjithë Shqipërinë të ministrave, deputetëve dhe kryetarëve të bashkive në muajt maj dhe qershor për takime me qytetarët për të parë nga afër problematikat e tyre në mënyrë që të nisë hartimi i këshillimit të ardhshëm kombëtar.

 

“Fundviti nis Këshillimi Kombëtar, në tema do të jenë tema që janë realisht me interes për ta. Në vijim, në periudhën maj-qershor do të organizojmë një  lëvizje në të gjithë Shqipërinë me pjesëmarrjen e të gjithë ministrave, deputetëve, kryetarëve të Bashkive për të trajtuar qoftë tema të këtij këshillimi kombëtar, qoftë ato që shqetësojnë komunitete të ndryshe, si edhe problematika që hasim në nivelin e qeverisjes vendore dhe qendrore, do na duhet të ulemi përsëri dhe është mirë që të gjithë të jenë të përgatitur për këtë që të diskutojmë për të dyja aspektet, e para lidhur me cilat janë temat që do të trajtojë Këshillimi i ardhshëm kombëtar dhe cilat do të jenë problematikat e zonave”, tha Rama.